E Diel, 1 Nëntor 2026

Rrëzohet në Francë helikopteri i porositur nga qeveria shqiptare

Një helikopter i porositur nga qeveria shqiptare tek kompania Eurocopter, është rrëzuar në Francë gjatë provave, duke vrarë gjashtë persona.

Helikopteri i llojit Cougar i përkiste kompanisë Eurocopter dhe po kryente një fluturim testi, që përfshinte pilotët dhe inxhinierët.

Eurocopter njoftoi se gjashtë personat që humbën jetën ishin punonjës të kompanisë dhe inxhinierë prove.

Sipas dëshmive, helikopteri po fluturonte në kuotë të ulët dhe u rrëzua papritur pranë një lumi. Nga rezultatet e hetimeve të para, dyshohet se mjeti është rrëzuar pasi ka rënë në kontakt me një kabull elektrik. Helikopteri tip Cougar, ishte destinuar për ushtrinë tonë, sipas marrëveshjes së firmosur në vitin 2009 nga qeveria shqiptare për blerjen e 5 helikopterëve transportues nga kompania Eurocopter.

Këto mjete parashikohej të përdoreshin nga ushtria për transportimin e personaliteteve, si dhe për nevoja të tjera ushtarake. Ministria shqiptare e Mbrojtjes ka konfirmuar lajmin për rrëzimin e helikopterit dhe bëri të ditur se në të nuk ka pasur shtetas shqiptarë.

Kjo Ministri kishte planifikuar sot edhe ceremoninë e pritjes së dy helikopterëve në aeroportin Nënë Tereza, e cila tashmë është anuluar.

Ceremonia e parashikuar me rastin e ardhjes sot në Aeroportin e Rinasit (pjesa ushtarake) të dy helikopterëve të prodhuar në bazë të kontratës me kompaninë franceze EUROCOPTER, e cila do të zhvillohej në Komandën e Forcave Ajrore në Rinas, nuk do të zhvillohet për shkak të aksidentit të ndodhur dje në Alpet e Francës me helikopterin Cougar, njoftoi Ministria e Mbrojtjes.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›