E Diel, 1 Nëntor 2026

Lazarati, nje aksion ditën per qetësi natën

30/10/2004  

Lazaratasit na kanë qëlluar të parët, pastaj policia është kundërpërgjigjur me zjarr, kanë pohuar pa u vonuar në Ministrinë e Rendit Publik. Nuk provohet të paktën deri tani, që banorët të kenë qëlluar mbi forcat speciale, pohojnë prokurorët dy ditë pas ngjarjes, pasi kanë bërë akte ekspertimi, kanë marrë dëshmi të palëve. Të plagosurit anojnë me shumicë nga fshati. Askush nuk uron plagosjen e policëve. Të dëmtuarit nga dhuna dhe plumbat, sapo kanë vajtur në spital, marrin vesh se janë në prag të marrjes të pandehur, se kanë konsumuar një vepër penale. Ngjarja ndodhi në orën dhjetë të darkës, kur një granatë, që sipas versionit zyrtar ishte shashkë tymuese, ka tromaksur klientët e lokalit, që nuk kanë njohur asnjë nga të maskuarit që të armatosur kanë nisur të qëllojnë. Dikush hidhet nga kati i dytë, një tjetër paloset nga një e shtënë, e kështu vijon. Arrestohet një i superkërkuar i dënuar me 22 vjet burg, që deri një javë më parë, nuk mundej ti gjendej adresa (për fat të mirë iu gjet në mesnatë) Pastaj me çfarë akt ekspertimi do të zbardhin errësirën e natës, që sjell përparësi dhe të kundërtën për secilën nga palët në konflikt. Do ti besojmë së pari variantit të Ministrisë së Rendit që operacioni ishte për kapjen e disa të kërkuarve njëri prej të cilëve u mundësua. Aksioni nuk gjen mbështetje të dukshme ligjore, përsa i përket kohës në të cilën është zhvilluar, me gjithë ngutjen e eprorëve për të korrur sukses në arrestime, pas korrjes së kanabisit. Drejtori Ibraj shfaqet një ditë më pas, duke deklaruar dosjen e të arrestuarit, por pa u ndalur gjatë te të palgosurit, që për hatër sekondash dhe të pandihmuar nga fati e errësira, apo plumbat "qorr" mund të ishin katër të vdekur të suksesit të një prangosje. Nëse sheh të pathënën e njoftimeve të Ministrisë së Rendit, Lazarati, ngjan si një letër nën mëngë, që e hedhim sa herë na duhet sukses për të raportuar te ndërkombëtarët, të cilët tërë dashamirësi, na ndryshojnë renditjen, për luftën e policisë, mund të thuhet dhe qeverisë në të tilla raste, ndaj trafikut të drogës. E prapë Lazarati nuk po na nxjerr nga balta. Se Lulja e Kanabisit nuk sjell pranverë, sepse mbillet dhe gjëkundi. Strategjia e Minsitrisë për luftën kundër narkotikut, ka dijeni për adresat. Por kostoja e aksionit në këtë rast nuk ngjan se justifikohet me jetë njerëzish, që siç pohoi kryeministri Nano, ka dhe të ndershëm në Lazarat. Dje, policia e shtetit ka bërë të ditur listën, sipas së cilës në këtë fshat të tmerrshëm janë vetëm 12 persona në kërkim, ku vetëm njëri po hetohet për vrasje. Akuza, thuaj e përbashkët, është vjedhje me armë, por ky pretendim ligjor nuk është bërë i tillë nga një vendim gjykate. Shamata e publiciteti i aksioneve të policisë, luftës së ministrisë, suksesit të qeverisë, lë përshtypjen e çlirimit të Irakut, rindërtimit të Afganistanit, kapjes së Bin Ladenit. Politikanët nga selitë në Tiranë, pro e kundër, që kanë zor të bëjnë punë ditën, por që nuk lënë vendim pa marrë natën, nuk janë kujtuar të bëjnë një listë të atyre që u rezultojnë të ndershëm në këtë komunë të Gjirokastrës. Po ti heqim 700 familjeve afro 5000 banorëve të Lazaratit, listën prej 12 vetësh në kërkim, publikuar nga drejtori i përgjithshëm i policisë së shtetit Bajram Ibraj, na bie që aty ka goxha të pafaj. Këta po, e meritojnë një aksion policie ditën, që të flenë të qetë natën.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›