E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ardita bala

30/10/2004  

TIRANË – 12 persona kanë mbajtur "peng" Lazaratin gjatë këtyre viteve të fundit. Kjo është pohuar dhe pak ditë më parë nga drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, drejtues Bajram Ibraj, ndërkohë që dje në një njoftim për shtyp, Ministria e Rendit ka bërë publike listën e 12 personave të shpallur në kërkim në Lazarat.

Emrat e Sabri Shurdhit, Valdomir Bucit, Ali Rabit, Bernard Gabës, Myrteza Gerveshit, Ago Rabaj, Serjan Çelës, Lorenc Bashës, Roland Mahmutit, Elidon Rabaj, Kastriot Bashës dhe Artur Shemshos, janë pengesat që policia të hyjë lirisht pa u penguar apo konfrontuar me armë në Lazarat.

Duket gjithsesi pak e çuditshme sesi një dorë kaq e vogël "burrash", kryesisht të kërkuar nga policia për vjedhje me dhunë, mund të mbajë peng një fshat, duke e kthyer në njollën e zezë të bluve shqiptar. Por, Ibraj e ka shpjeguar vetë këtë fakt në një konferencë për shtyp, të mbajtur një ditë pas ndërhyrjes së forcave të RENEA-s në Lazarat.

Të kërkuarit

Janë gjithsej 12 shtetas, emrat e të cilëve janë bërë dje publikë në një njoftim për shtyp të dalë nga Ministria e Rendit, të cilët janë banorë të komunës së Lazaratit. Pjesa më e madhe e të kërkuarve kanë kryer veprën penale të vjedhjes me armë, vetëm ose në bashkëpunim me të tjerë. Ajo çka nuk ngelet pa rënë në sy, është fakti se mes "ferrave" nëpër këmbë për uniformat blu të Ministrisë së Rendit, vetëm njëri nga të kërkuarit, Elidon Rabaj, është i dyshuar për një vrasje dhe aktualisht, çështja e tij po ndiqet nga Gjykata e Apelit. Ndër problematikët e tjerë për policinë është dhe shtetasi Ago Çoman Rabaj, i cili është dënuar me 20 ditë burg për falsifikim dokumentesh. Përveç këtyre dy shtetasve, dallim në listën e 12 të kërkuarve bën dhe emri i Kastriot Asaf Bashës, për të cilin Gjykata ka dhënë masën e sigurisë “arrest me burg” për veprën penale të shfrytëzimit të prostitucionit. Ndërsa 9 personat e tjerë janë të gjithë të kërkuar si kaçakët dikur, për vjedhje me armë.

Ibraj

Një ditë pas ndërhyrjes së forcave speciale të RENEA-s në Lazarat, ku u bë i mundur arrestimi i një shumë të kërkuari dhe u plagosën pesë shtetas të tjerë, drejtuesi i parë i Policisë Shqiptare, Bajram Ibraj, doli në një konferencë për shtyp. Pas përshkrimit të ngjarjes dhe deklarimit si të suksesshëm të aksionit të bërë nga vartësit e tij, Ibraj ka sqaruar për median se, Lazarati mbahet peng nga 12 persona gjithsej. Në fjalën e tij, Ibraj ka bërë të ditur se këta persona sa herë që mund të ketë aksion apo ndërhyrje të policisë, "fshihen" pas grave dhe fëmijëve për të mos rënë në duart e policisë. Në një formë apo në një tjetër, një akt i tillë, ka shpjeguar drejtori i Përgjithshmë i Policisë së Shtetit, ka bërë që dhe uniformat blu të mos ndërhyjnë energjikisht për arrestimin apo neutralizimin e tyre, për të shmangur ndonjë katastrofë apo tragjedi që mund të ndodhë me gratë dhe fëmijët e pafajshëm. Gjithsesi në deklaratën e djeshme të shtypit të Ministrisë së Rendit, i është bërë një ftesë publike të gjithë qytetarëve që të japin informacion të saktë, në rast se kanë për të bërë të mundur kapjen e këtyre shtetasve. Ministria i garanton "informatorëve" ruajtjen e anonimatit.

Lista e 12 personave të shpallur në kërkim, banorë të komunës Lazarat

Këta shtetas janë:

Sabri Shurdhi, i dënuar me 14 vjet burg për vjedhje me armë.

Valdomir Memo Buci, i dënuar me 10 vjet burg për vjedhje me armë.

Ali Daut Rabi, i dënuar me 7.5 vjet burg për vjedhje me armë.

Bernard Luan Gaba, i dënuar me 2.3 vjet burg për vjedhje të kryer në bashkëpunim.

Myrteza Zenel Gerveshi, i dënuar me 2.3 vjet burg për vjedhje me armë.

Ago Coman Rabaj, i dënuar me 20 ditë burg për falsifikim.

Serjan Petref Çela, i dënuar me 10 vjet burg për vjedhje me armë.

Lorenc Asaf Basha, i dënuar me 8 vjet burg për vjedhje me armë.

Roland Xhelo Mahmuti, i dënuar me 16 vjet burg për vjedhje me armë.

Elidon Rakip Rabaj, hetohet si autor i vrasjes së një shtetasi. Çështja ndiqet aktualisht nga Gjykata e Apelit.

Kastriot Asaf Basha, Gjykata ka dhënë masën e sigurisë “arrest me burg” për veprën penale të shfrytëzimit të prostitucionit.

Artur Zenel Shemsho (Gerveshi), Gjykata ka dhënë masën e sigurisë “arrest me burg” për veprën penale të vjedhjes në bashkëpunim.

Operacioni për kapjen e Razip Mahmutaj ishte planifikuar për t'u bërë mbrëmjen e 9 tetorit, natën e ndeshjes mes Kombëtares shqiptare dhe asaj danaze. Burime nga Ministria e Rendit Publik kanë thënë për gazetën "Metropol" se, Mahmutaj, i cili kërkohej për vrasje dhe ishte i dënuar me 22 vjet burg, kishte kohë që ishte nën shënjestrën operacionale të policisë. Menjëherë pas ngjarjes së Lazaratit, ku u qëllua mbi helikopterin e Interforcës-s, Razip Mahmutaj ishte identifikuar si i dyshuar i mundshëm. Një grup nga punonjësit e forcave speciale kishin planifikuar që, pikërisht mbrëmjen kur do të bëhej ndeshja Shqipëri-Danimarkë "të godisnin" mbi të shumëkërkuarin. Gjithsesi për arsye që nuk bëhen të ditura, operacioni është anuluar në fillim të këtij muaji, duke u lënë për më vonë, pikërisht për mbrëmjen e 27 tetorit. Ar.ba

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›