E Shtunë, 31 Tetor 2026

Prokurorë: Ska prova të fajësisë së banorëve

30/10/2004  TIRANË -Katër prokurorët që “zbarkuan” në Lazarat pesë ditë më parë, pas incidentit mes policisë dhe banorëve të zonës, janë kthyer dje në Tiranë, pa asnjë provë që fajëson banorët e fshatit. Njëri prej prokurorëve, që prej katër ditësh ka zhvilluar hetime në Lazarat, i tha dje gazetës “Metropol” se verifikimet nuk kanë gjetur asnjë provë të vetme, me të cilën mund të fajësohen banorët e Lazaratit. Ata kanë pohuar se nuk e kanë parë fare makinën e policisë, ndërsa seanca e ballafaqimit ka përfunduar në favor të tyre.

Makina

“Tre vrima të lëna nga një predhë e njëjtë arme, janë gjetur dhe ekspertuar në makinën e policisë. U hetua për të saktësuar armën, drejtimin dhe personin që ka qëlluar mbi makinën e forcave speciale dhe policisë, por nuk u zbulua asnjë provë. Momentalisht ndaj banorëve të Lazaratit, nuk qëndron jo vetëm akuza se kanë qëlluar të parët, por asnjë provë nuk vërteton nëse ata kanë qëlluar me armë apo jo”, tha dje njëri prej anëtarëve të grupit hetimor të çështjes. Sipas tij, e gjitha kjo është rezultat i verifikimeve profesionale, që prej katër ditëve janë kryer në fshatin Lazarat. Të gjitha materialet hetimore që kanë të bëjnë më shkëmbimin e zjarrit, janë dërguar dje për ekspertizë, ndërsa rezultati pritet të dalë brenda kësaj jave.

Plumbat

“Arritëm në një mendim të përbashkët për llojin e armës, nga tyta e së cilës kishin dalë predhat që kishin përfunduar në makinën e policisë. Kjo armë nuk u gjend në zotërim të banorëve të fshatit, as nga pyetja e tyre dhe as nga kontrollet e zhvilluara. Për vrimat në makinën e policisë kemi dëshmi të disa banorëve, që thonë se nuk e kanë parë makinën si dhe faktin se shenjat e tre predhave janë të një arme të vetme. Ekspertët nuk besojnë se banorët e Lazaratit kanë patur armë të njëjta, edhe nëse kanë qenë të armatosur”, sqaruan dje burimet e organit hetimor për Krime të Rënda.

Ekspertiza

Hetuesit thanë dje se kanë arritur të gjejnë dy nga tre predhat e armës me të cilën është qëlluar makina e policisë dhe forcave speciale, të cilat zhvilluan një operacion në fshatin Lazarat, mbrëmjen e vonë të pesë netëve më parë. Dy predhat, fotografitë dhe matjet e shënjave që kanë mbetur në makinë dhe gëzhojat, kanë përfunduar dje për ekspertizë në Laboratorin Qendror Kriminalistik.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›