PD, Fushata per terheqjen e intelektualëve
28/10/2004 Kryesia e degës së Partisë Demokratike për Tiranën ka diskutuar dje mbi axhendën e punës për fushatën e zgjedhjeve, e cila ka nisur punën e saj muaj më parë. Përgatitja e zgjedhjeve në këtë degë ishte e ndarë në dy faza, verifikimi i anëtarësisë aktuale që ka patur dega e Tiranës dhe faza e dytë me anëtarësimet e reja. Sipas sekretarit të degës të Tiranës, Bujar Nishani, pika më e rëndësishme është faza e dytë, "ajo e anëtarësimit të njerëzve nga shoqëria civile, të cilët do të përbënin dhe elitën e `anëtarësimit`". Radhëve të demokratëve u janë shtuar profesorë nga fusha akademike si profesor Ilo Mele, Vladimir Peza, profesor në Fakultetin e Inxhinierisë dhe të Minierave, Gjon Kuldedaj profesor në Institutin Bujqësor, Selim Ishmaku kompozitor si dhe biznesmenë të njohur. Deri tani numri i anëtarëve ka arritur deri në 500, kjo duke filluar nga muaji gusht e deri në tetor. Mbledhja ka vënë theksin edhe në përllogaritjen e atyre anëtarëve, të cilët nuk gjenden më në Shqipëri. Grupet e punës të PD-së, të përcaktuara nga Kryesia, kanë nisur punën duke u bazuar në statusin e partisë dhe në udhëzimin që ka nxjerrë së fundi Këshilli Kombëtar mbi procesin e zgjedhjeve. Ky proces është parashikuar të vazhdojë deri në fund të dhjetorit. Tirana, si degë, ka 16 nëndegë, 11 të qytetit dhe 5 në komuna.