E Shtunë, 31 Tetor 2026

Qiradhënia propozohet si formë e blerjes së tokës

28/10/2004  Parlamenti miratoi me 66 vota pro, 49 kundër dhe 5 abstenime projektligjin për legalizimin e zonave informale. Në ndryshimet e bëra gjatë diskutimeve është pranuar dhe legalizimi i banesave që janë ndërtuar, pasi është lidhur një kontratë me pronarin e truallit, por që për to nuk është marrë leje nga shteti. Prishja e këtyre ndërtimeve do të jetë vetëm në rast se janë në kundërshtim me planin urbanistik të Komunës apo Bashkisë. Projektligji do të hyjë në fuqi menjëherë pas firmës së Presidentit të Republikës, ndërsa qeveria do të parashikojë se sa duhet të jetë një hapësirë toke e zënë me ndërtime të paligjshme që do t'i nënshtrohet legalizimit. Gjatë votimit deputetët e opozitës kanë propozuar një sërë ndryshimesh, por që nuk janë marrë parasysh. Ndaj, në fund të seancës parlamentare, Sali Berisha tha se u miratua një projektligj, që do të sjellë një kaos dhe më të madh. Sipas tij, ligji është i ndërtuar mbi baza urrejtjeje, ndaj sjell vetëm diskriminim. Berisha ka kërkuar që qeveria të legalizojë të gjitha ndërtimet e paligjshme. Kjo do të sjellë që pronarët e banesave, të cilat do të prishen si shkak i projekteve të urbanizimit, të marrin më parë kompensimin për dëmin që u bëhet. Gjatë seancës, opozitarët kanë kërkuar qartësimin më të saktë të procesit të shitblerjes së tokës.

Vendimi

Pagesa e menjëhershme, me këste dhe me qira, janë format e njohura nga ligji për blerjen e tokës nga ndërtuesit e paligjshëm. Në këtë pikë, opozitarët kanë deklaruar se përfshirja e qirasë, si mundësi e blerjes së tokës, është në kundërshtim me të gjitha ligjet shqiptare dhe ato ndërkombëtare. Kjo për vetë faktin se me anë të qiradhënies nuk mund të ketë tjetërsim të një prone. Por, në të kundërt me këtë, përfaqësuesit e ministrisë kanë deklaruar se në konceptin e qirasë është pranuar që në përfundim të kontratës të qirasë, toka i kalon në pronësi të atij që ka bërë ndërtimin. Por kjo është cilësuar si një abuzim që do të sjellë vetëm përplasje mes pronarëve dhe ndërtuesve të paligjshëm. Në lidhje me blerjen me këste dhe me likuidimin e plotë, deputetët e opozitës kanë kërkuar që të parashikohet kreditimi i atyre që nuk kanë mundësi të paguajnë truallin e zënë. Kjo do të sillte dhe një shmangie nga konfliktet. Në këtë proces është parë e nevojshme ndërhyrja e shtetit me kompensimin e ish-pronarëve, ndërsa atyre që kanë bërë ndërtimit t'u hipotekohet toka. Kjo do të sillte mundësi kreditimi nga bankat që operojnë në Shqipëri.

Debatet

Në seancë, një pjesë e mirë e socialistëve ka dalë dhe kundër vendimit që pronarët e vjetër të marrin kompensimin sipas vlerës së tregut. Sipas tyre, prona duhet të kompensohet sipas çmimit të vitit 1992 dhe në gjendjen e tokës bujqësore dhe jo në truall. Ndërsa pronarët e rinj duhet ta paguajnë këtë si tokë truall, pasi shteti është ai që do të bëjë urbanizimin. Kjo është cilësuar e papranueshme nga pjesa më e madhe e deputetëve, që ka vendosur që pronarët të kompensohen me të njëjtin çmim që do të paguajnë ndërtuesit e paligjshëm.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›