E Shtunë, 31 Tetor 2026

Lazarati pëlcet nga kanabisi

Kur shteti do të tregojë forcën e tij në luftën kundër trafiqeve dhe krimit të organizuar, nuk pyet. Fillon fushatat e korrjes së kanabisit nëpër fshatra dhe arreston pleq e plaka.

Sipas statistikave dhe njoftimeve zyrtare të policisë, janë korrur mijëra rrënjë kanabis dhe janë arrestuar disa të moshuar, të cilët, sipas dënimit që morën, duhet të jenë trafikantët e vërtetë të bimëve narkotike në vendin tonë.

Pleqtë e dënuar

Katër pleq vuajnë dënimin me nga tre vjet burg në Krujë. Kur i shikon në atë moshë bëhesh kuriozë se cila është akuza që i ka çuar drejt qelisë.

Më i moshuari prej tyre është Malo Çelaj, 86 vjeç, të cilit i kanë mbetur edhe dy vjet e gjysmë burg për të bërë. Mezi lëviz, nuk del dot as nga qelia për t’u ajrosur. Ditët e fundit të jetës duhet t’i kalojë në burg, sepse policia e ka arrestuar pasi në bahçen e tij gjeti disa rrënjë kanabis.

“Më kanë dënuar për drogë. Po kishte mbirë vetë atje o derëbardhë e ne s’e dinim se si quhej. Erdhi policia, e panë, më dënuan. Më lanë tre vjet në shtëpi e pastaj erdhën dhe më morën”, tregon plaku 86-vjeçar, një nga katër të dënuarit për kultivimin e bimëve narkotike që po vuan dënimin në Burgun e Krujës.

Ndërsa Bexhet Jonuzi, 71 vjeç, tregon se është dorëzuar vetë dhe ka marrë përsipër fajin për të shpëtuar nga burgu të birin.

Edhe i dënuari tjetër, 72-vjeçari Hodo Shakaj, tregon se e kishte marrë vetë përsipër përgjegjësinë për mbjelljen e kanabisit për të shpëtuar bashkëshorten.

Pra, kultivuesit e bimëve narkotike që dalin përpara ligjit janë të moshuarit.

Por edhe ata që kapen dhe arrestohen janë nga fshatrat e Gjirokastrës, Vlorës, apo ndonjë qyteti tjetër. Asnjëherë nga Lazarati. Megjithëse policia deklaroi se korri 8200 rrënjë kanabis në Lazarat, asnjë të arrestuar nuk dëgjuam. Çuditërisht asnjë nuk u gjet në 40 shtëpitë që u kontrolluan nga policia.

Lazarati

Disa ditë pas aksionit të bujshëm të policisë në Lazarat, shkuam për të parë rezultatet e operacionit. Pamë se policia kishte goditur vetëm një ngastër me hashash, sa për të bërë shfaqjen e radhës nëpër media dhe nuk ishin në Lazarat rrënjët e asgjësuara, por në lagjen Kordhocë, pa hyrë në fshat.

Kur hymë brenda në fshat, pamë se edhe varrezat e fshatit ishin të mbushura me bimën e kanabisit. Këtë vit hashashi në Lazarat ishte mbjellë fshatçe.

Nuk kishte mbetur më vazo lulesh pa u mbjellë me kanabis. Edhe në ballkone për zbukurim nuk mbanin lule dekorative, por kanabis. Ku të mundnin kishin mbjellë sa më shumë.

Të gjitha banesat ishin fortifikuar mirë, për të mos lejuar askënd që të shikonte brenda oborreve të shtëpive se çfarë kishte. Mbi muret rrethuese që ishin shumë të larta dalloheshin bohçet e kanabisit. Nëse ecje më thellë në fshat shikoje parcela të tëra të mbjella me kanabis, të cilat ishin të rrethuara me tulla, e gardhe prej kashte, apo pëlhure.

Kamera e “Fiks Fare” u fut në këto parcela dhe xhiroi nga afër prodhimin e sivjetshëm të banorëve të Lazaratit.

Duke parë këto fakte, bindesh se Lazarati është prodhuesi kryesor i hashashit në Shqipëri, por asnjë i arrestuar nuk i ka provuar prangat nga kjo komunë.

Nëse flitet për arrestime, shohim vetëm ca pleq e plaka nga Vlora apo gjetkë që kanë pasur “fatkeqësinë” të kapen me tre-katër rrënjë të tilla.

E ndërsa banorët e Lazaratit ujitnin çdo ditë prodhimin e sivjetshëm, forcat speciale të RENEA-s qëndruan për gati një muaj në hyrje të fshatit, madje një furgon policie e shikon edhe sot në rrugë.

Kamera e “Fiks Fare” shkoi disa herë në Lazarat dhe ka filmuar të gjitha proceset e rritjes dhe korrjes e më pas tharjes së kësaj bime. Aktualisht, i gjithë kanabisi i mbjellë në Lazarat është korrur, po thahet dhe është gati për t’u presuar e më pas të shitet.

Askush nuk e ndalon kultivimin e kësaj bime në këtë fshat. Madje, dje në “Fiks Fare” u transmetuan pamje të disa të rinjve që blinin në rrugën nacionale Gjirokastër-Tepelenë disa bohçe kanabisi të sapokorrur. Ata që e shisnin bëjnë edhe pazar për sasi më të madhe, për 60 kilogramë.

Sa më shumë rritet sasia që duhet të blihet, aq më shumë rritet edhe çmimi, sepse rritet vështirësia për ta nxjerrë nga fshati.

Për sasi të mëdha çmimi sot është 350 – 400 euro kilogrami. Ndërsa për sasi të vogla, rreth një kilogram, çmimi është 30 mijë lekë.  
 

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›