E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tragjedia e Butrintit, hapet vaji në Fier

Tragjedia e Butrintit ka prekur edhe dy familje të tjera. Dy viktimat e gjetura dje në thellësitë e kanalit të Vivarit në Butrint janë banorë të rrethit të Fierit.

Ky informacion ka ardhur në Komisariatin e Policisë Fier, nga policia e qytetit jugor të Sarandës. Pasditen e djeshme, Policia e Sarandës ka kërkuar prej asaj të Fierit që të bëjë verifikimin për dy personat, të dhënat e të cilëve ka mundur t’i gjejë pas nxjerrjes së trupave të pajetë nga uji.

Burimet zyrtare policore tregojnë se një prej viktimave është Festim Hoxhaj. Me këtë identitet në Fier kanë qenë dy persona, një në fshatin Drizë dhe një tjetër në fshatin Vidhishtë të Komunës Kuman.

Policia lokale konfirmoi se një prej viktimave është Festim Hoxhaj, lindur e banues në fshatin Vidhishtë të Komunës Kuman. Ai është djali i vetëm i familjes Hoxhaj, vëlla i katër motrave, njëra prej të cilave këtë verë do të martohej.

Kryeplaku i fshatit Vidhishtë, Skënderi, tha dje për gazetën “Shqip” se: “Festim Hoxhaj njihej si djalë punëtor dhe rrjedh nga një familje e varfër”.

Në familjen e 27-vjeçarit Hoxhaj morti është hapur pasditen e djeshme, kur policia lokale ka shkuar për verifikim dhe u ka kërkuar familjarëve të dhëna më shumë për Festimin. Më pas mësohet që inspektori i fshatit i ka treguar të atit të Festimit, Kadriut, për fatin e djalit.

Nëna e Festimit mësohet se vuan prej vitesh nga zemra dhe njoftimi i saj për tragjedinë ka qenë i vështirë.

Ndërsa i ati, Kadriu, dhe disa bashkëfshatarë janë nisur për në Sarandë, për të marrë trupin e pajetë të të riut, nëna është çuar me urgjencë në spital, pas një goditjeje në zemër.

Motrat dhe pak të afërm në fshat kanë hapur dyert dhe presin ngushëllime. Festimi, me arsim 8-vjeçar, kishte punuar në ndërtim dhe në bujqësi. Ai kishte provuar disa herë të shkonte në Greqi, por pa sukses.

“Kishte vendosur që të punonte disa muaj për të ardhur në verë, me qëllim që t’i bënte dasmën motrës. Ndërsa për veten e tij dasmën e kishte lënë për më vonë, për shkak të gjendjes së rëndë ekonomike të familjes”, thotë një prej kushërinjve të Festimit.

Edhe në familjen e Amarildo Kukës, dyert e mortit janë hapur dje. Të afërm të familjes po e mbajnë derën hapur, pasi prindërit e 20-vjeçarit janë nisur për në Sarandë.

Qarku i Fierit është prekur me dy viktima nga tragjedia e Butrintit, ndërsa edhe 13 nga të mbijetuarit dhe një i zhdukur janë nga po ky qark.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›