Oficeri i SHKB rrëzon alibinë e “trafikantëve”
TIRANE – Specialisti i SHKB-së në komisariatin e policisë së Sarandës, Musa Metko, dëshmoi dje në procesin gjyqësor të të arrestuarve nga operacioni “Butrinti” në vitin 2007. I paraqitur para togave të zeza të Krimeve të Rënda, në cilësinë e dëshmitarit të mbrojtjes, Metko mohoi dje të ketë rekrutuar të pandehurin Ilmi Bejko në strukturat e Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm. “Absolutisht jo. Nuk e kam rekrutuar Bejkon në punën që unë bëj”, iu përgjigjur dëshmitari pyetjes së gjykatës, nëse ishte rekrutuar prej tij i pandehuri, në atë kohë efektiv i Policisë së Kufirit. Sipas dëshmisë së Metkos, njohja me të pandehurin Bejko, kishte qenë një njohje e zakonshme. “Bejkon e njoh si efektiv të komisariatit, njohje e zakonshme”, deklaroi ai. Pyetjes së vetë të pandehurit, nëse i ishin kërkuar prej tij numrat grekë të disa prej efektivëve të Policisë së Kufirit, Metko u përgjigj: “I kam kërkuar Ilmi Bejkos numrat e telefonit grekë që përdornin kolegët e tij. Kjo është bërë thjesht për t’i hequr atij vëmendjen, se ata numra nuk më nevojiteshin”. Në vijim dëshmitari ka sqaruar për gjykatën, me aq sa mund të shprehej, procedurën e rekrutimit të një efektivi të policisë nga Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm. Në gjyqin e djeshëm dëshmi edhe Nevruz Bilali, një punonjës policie në komisariatin e Sarandës. Të pandehurit e këtij procesi, Arjan Shehu, Kadri Emini, Ilmi Bejko, Emin Halili dhe Ilia Thoma akuzohen nga prokuroria se, në bashkëpunim me njëri-tjetrin në vitin 2007 kanë konsumuar 5 episode të kalimit të klandestinëve në pikën kufitare të Qafë-Botës. ar.ba