Lazio shet Zaraten, blen Shaqirin?

Lazio ka bërë gati planin se çfarë të bëjë pas shitjes së Mauro Zarates, i cili mund të largohet nga klubi italian këto ditë. “Lazio po mendon qysh tash se çka të bëjë, nëse Zarate largohet. Emri i duhur për fazën ofanzive është ai i Xherdan Shaqirit të Baselit”, shkruan uebfaqja lalaziosiamonoi.it.
19-vjeçari ka kontratë me kampionin zviceran deri në vitin 2014, por Baseli nuk do të thoshte JO, nëse merr një ofertë të arsyeshme, 8-10 milionë euro. “Këtë shumë do të ishte i gatshëm ta paguajë presidenti i Biancocelestëve, Claudio Lotito”, vazhdon shkrimin kjo uebfaqe.
Pasi e transferoi Lorik Canën, drejtori sportiv i Lazios, Igli Tare, mund ta sjellë në kryeqytetin italian edhe një tjetër bashkëkombës. Lazio nuk është ekipi i vetëm italian, i interesuar për përfaqësuesin zviceran.
Atë e pëlqejnë edhe Napoli, Roma, Juventusi, Milani e Interi nga Serie A, Manchester United e Liverpool në Premierligë dhe Bayern Munich, Borussia Dortmund e Hamburg, nga Bundesliga.