E Shtunë, 31 Tetor 2026

‘Shpëtimi’ te Shoqata

Edhe pse kanë kushte shumë të mira, futbollistët në Spanjë dhe Itali së fundmi janë futur në grevë pasi po kërkojnë mbrojtjen e interesave të tyre. Disa ish-futbollistë mendojnë se lojtarët kosovarë, të cilët janë të pambrojtur, për ta ndjekur rrugën e spanjollëve e italianëve, së pari do të duhej ta formonin shoqatën, e cila do t’i mbronte të drejtat e tyre. Nga Moral Poxhegu më 29 gusht 2011 në ora 12:18

Derisa në Spanjë dhe Itali, Shoqata e futbollistëve shihet si shpëtim për lojtarët, në Kosovë një gjë e tillë duket e pamundur, për momentin.

Kampionati spanjoll dhe ai italian u shtynë për një javë, pasi që Shoqata e lojtarëve mori iniciativë për grevë, për shkak të vonesës së rrogave milionëshe dhe mosmarrëveshjeve me federatat përkatëse.

Në vendin tonë, as që ekziston Shoqata e lojtarëve, e cila do t’ua mbronte atyre të drejtat elementare, që u mungojnë. Në Kosovë, gati secili klub ua vonon rrogat lojtarëve.

E këta të fundit, nuk munden që krye në veti të bëjnë diçka në këtë drejtim. Për këtë, dy ish-futbollistët e njohur kosovarë, Sunaj Keçi e Ismet Munishi, Shoqatën e lojtarëve e shohin si shpëtim për futbollin kosovar. Pikërisht këta të dy e kishin në plan formimin e kësaj shoqate, 4-5 vjet më parë.

“Lojtarët nuk kanë mbështetje, janë të pambrojtur, e për këtë duhet të intervenojë edhe Federata. Momentalisht, të gjitha kontratat bëhen pa avokatë dhe klubet i shkelin ato. Kur të formohet Shoqata dhe kur kontratat të jenë më zyrtare, pastaj, nëse shkelen të drejtat, mund të flitet edhe për grevë, edhe pse, në Kosovë janë rrogat shumë të vogla, 200-300 euro. Kjo është katastrofë”, deklaroi Keçi.

Keçi, i cili ka luajtur edhe në klube të huaja, e bën një krahasim të futbollit kosovar me atë kroat, ku lojtarët janë të mbrojtur në mënyrë strikte. “Kur luaja në Kroaci, nëse klubi ta vononte rrogën vetëm 8 ditë, mund ta kërkoje shkëputjen e kontratës dhe më pas klubi do ta paguante edhe kamatën. Kurse, në Kosovë, fatkeqësisht lojtarët nuk kanë ku të mbështeten, kontratat nuk janë valide”, shtoi ai.

Edhe Munishi, i cili po ashtu ka përvojë ndërkombëtare, e sheh të domosdoshëm formimin e Shoqatës së lojtarëve, pas së cilës futbollistët do të ishin më të mbrojtur dhe se nuk do të luhej me djersën e tyre.

“Së pari duhet të krijojmë identitet. Duhet të pranohemi ndërkombëtarisht, e më pas të mendojmë për hapat e tjerë. Duhet të formohet sindikata e lojtarëve njëherë. Pastaj, nëse klubet i shkelin të drejtat e futbollistëve, mund të organizohet ndonjë grevë. Por, për momentin nuk jam përkrahës i një greve të mundshme. Shpresoj që edhe Ligji për sport të aprovohet sa më shpejt, pasi do t’ia shihnin hairin futbollistët”, theksoi Munishi.

Në Itali, java e parë e kampionatit të ri u shty pasi që futbollistët janë lodhur duke paguar taksa të larta dhe tash po kërkojnë që klubet t’ua paguajnë ato, por ende nuk është arritur ndonjë marrëveshje. Kurse, në Spanjë, xhiroja e parë u shty për shkak të vonesës së rrogave dhe borxhit që ua kanë klubet lojtarëve.

Këta të fundit kërkojnë mbrojtje nga Federata, e cila u obligua ta krijonte një fond për kontrata kolektive. Vonesa e rrogave dhe borxhi që kanë klubet ndaj lojtarëve është bërë pjesë e pandashme e futbollit kosovar. Edhe pse i kanë rrogat minimale, futbollistët duhet të presin ndoshta edhe 3-4 muaj, por edhe më shumë, për t’i marrë 200-300 euro.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›