Fetel fiton Çmimin e Madh të Belgjikës
Kampioni aktual i botës në Formula 1, Sebastian Fetel fitoi dje garën për Çmimin e Madh të Belgjikës dhe përforcoi epërsinë e tij në renditjen e përgjithshme, shtatë gara para fundit. Fetel u nis nga vendi i parë dhe siguroi fitoren e tij të gjashtë këtë sezon dhe të 17-ën në karrierë. Gjermani udhëhoqi ekipin e Red Bullit drejt dy vendeve të para, pasi kolegu i tij, australiani Mark Veber përfundoi pas tij. Piloti i McLaren, Xhenzon Baton u nis nga vendi i 13-të, por e arriti Fernando Alonson me Ferrari, në fazën mbyllëse të garës dhe doli i treti, para spanjollit.
E të thuash se përpara këtij ÇM të Belgjikës, Red Bull dukej se kishte telashe me kamberin, mekanizmin që rregullon raportin me gomave dhe tokës. Gara ishte argëtuese dhe SPA u rikonfirmua si një pistë e mrekullueshme për spektaklin. Në pjesën pranë O Ruzh, u panë shumë parakalime. Fetel u bezdis që në fillim nga Niko Rozberg, pastaj rimori kryesimin dhe 4 xhiro nga fundi konfirmoi lajmin se Red Bull kishte një problem me amortizatorët që “hanin” më shumë gomat nga e majta. Por asgjë më shumë. Fetel tashmë e ka botërorin në xhep.
Renditja e përgjithshme:
Piloti Makina Pikë
1) Sebastian Fetel Red Bull 259
2) Mark Veber Red Bull 167
3) Fernando Alonso Ferrari 157
4) Xhenzon Baton McLaren 149
5) Ljuis Hamilton McLaren 146
6) Felipe Masa Ferrari 74
7) Niko Rosberg Mercedes 56
8) Mikael Shumaker Mercedes 42