E Shtunë, 31 Tetor 2026

Le Clezio në shqip



“Afrikani” i J.M.G. Le Clézio, çmimi “Nobel” për letërsi 2008, botohet në shqip nga “Skanderbeg books”

“Afrikani”

Vetërrëfim

Përktheu nga origjinali frëngjisht: Urim Nerguti

112 faqe

600 lekë

Dy fjalë mbi “Afrikanin”

Në seri të veprave dhe autorëve të rëndësishëm të botuar nga “Skanderbeg books”, këto ditë doli në qarkullim vepra “Afrikani” i nobelistit të vitit 2008 në letërsi J.M.G. Le Clézio. Parapëlqimi ndaj kësaj vepre nga “Skanderbeg books” në larminë e veprave të këtij autori, ka qenë për shkak të popullaritetit, frymës dhe impaktit të veçantë të kësaj vepre tek lexuesi në botë. Vepra është një vetërrëfim i nobelistit mbi fëmijërinë e tij në Afrikë, mbi lidhjet dhe tërheqjen e tij me këtë botë magjike, që sipas tij, ka qenë në themel të vetë jetës së tij si dhe shpjegimi i marrëdhënieve të tij me të atin, një mjek që shërbeu mbi 30 vjet në Afrikë. Libri ka shumë ritëm, përshkohet nga një frymë romantike dhe përpiqet të bëjë shpjegimin e disa të vërtetave të mëdha të raporteve mes botëve që, sa ç’duken larg njëra-tjetrës, aq edhe janë pasqyra.

“Afrikani” është një himn kushtuar marrëdhënieve atë e bir, nostalgjive fëminore dhe mbi të gjitha, dashurive të mëdha, që janë shtysat në jetët e njerëzve për të cilët hapësira e një qyteti, e një rruge, e një vendi japin shumë pak për t’i dhënë kuptimin e vërtetë jetës. “Afrikani” është një nga ata libra që bën shpjegim për se Le Clézio e meritonte të ishte nobelist në letërsi.

Fragment nga “Afrikani”

...Më kujtohet gjithçka që mora kur erdha për herë të parë në Afrikë: një liri aq të thellë, saqë më digjte, më dehte, saqë i ngazëllehesha deri në dhimbje. Nuk dua të flas për ekzotizëm: fëmijët janë krejt të huaj ndaj këtij vesi. Jo ngaqë ata shohin përmes qenieve dhe gjërave, por, pikërisht, ngaqë nuk shohin tjetër, veç këtyre: një pemë, një gropë në tokë, një mizëri milingonash nëpër trarë, një grup djemsh çamarrokë në kërkim të një loje, një plak me sy të mjegullt duke zgjatur një dorë kockë e lëkurë, një rrugë në një fshat afrikan në një ditë tregu, këto ishin të gjitha rrugët e të gjitha fshatrave, të gjithë pleqtë, të gjithë fëmijët, të gjitha pemët dhe të gjitha milingonat. Ky thesar është përgjithmonë i gjallë thellë brenda meje, nuk mund të shkulet më. Shumë më tepër sesa me kujtime të thjeshta, ai është i përbërë me të vërteta...

“Roli i tij autobiografik është shndërruar në thjeshtësinë e shprehjeve. Pra, jo konfuzion apo rrëfim, por thjesht një gjest intimiteti... Le Clézio nuk jep leksione morali. Delikat dhe bujar, dhe në të njëjtën kohë, tejet i mençur... I gjithë arti i tij është përkushtim ndaj dhimbjes, por dhe rebelim”.

LE MONDE

“Le Clézio ka perfeksionuar një stil me një shprehi të hapur, të shpejtlëvizshme. Me kohën, ambicia e tij mbisunduese që të mund të arrijë transparencën e mitit, e ka drejtuar atë në një lloj hapjeje që sheshon ndikimin emocional të prozës së tij”.

THE WASHINGTON POST

J.M.G. Le Clézio, lindur në Nice më 13 prill 1940, rrjedh nga një familje bretonësh të mërguar në ishullin Maurice në shekullin XVII. Ka ndjekur studime në kolegjin universitar të Nice-ës dhe është doktor në letërsi.

Përveç udhëtimeve të panumërta, J.M.G. Le Clézio nuk ka pushuar së shkruari që nga mosha shtatë apo tetë vjeç poema, rrëfime, tregime, novela, e që asnjëra prej tyre nuk ka qenë botuar përpara romanit Procesverbali, romani i tij i parë i shfaqur më 1963, kurorëzuar me çmimin “Renaudot”. Vepra e tij numëron sot nja tridhjetë vëllime. Më 1980, ka marrë Çmimin e Madh “Paul-Morand”, dhënë nga Akademia Franceze për romanin Shkretëtirë.

Mbi jetën dhe veprën e Le Clézio-s

Jean-Marie Gustave Le Clézio u lind më 13 prill 1940. Vitet e para të fëmijërisë i kalon në Roquebillière, një fshat i vogël në të djathtë të lumit Vésubie, në ferrin e Luftës së Dytë botërore. Nuk është e habitshme që këto kohë të turbullta e frymëzuan për Ylli shëtitës. Është rritur nga e ëma dhe gjyshja e tij të cilat i japin atij një shije për leximin dhe shkrimin.

Më 1948, ai kryen një udhëtim në Afrikë për të gjetur atje të atin e vet, Raoul Le Clézio, mjek britanik me shërbim që prej njëzet e pesë vjetësh në Kamerunin anglishtfolës dhe në Nigeri. Kjo përvojë afrikane do ta frymëzojë atë për romanin Onitsha dhe për Afrikanin. Ndërmjet 1952, viti i vdekjes së Alexis Le Clézio, gjyshit nga e ëma, dhe 1958, vit në të cilin ai pranohet 17 vjeç në Letra Superiore dhe dëbohet nga Hypokhagne një vit më pas nga profesori Jean Animus, Le Clézio përpiqet në arte të ndryshme: pikturë dhe letërsi. E braktis të parën dhe merret me të dytën. Fillon të hulumtojë me radhë mjaft lloje letrare: poezi, roman, ese filozofike, ese historike.

Përgjatë këtyre viteve të luhatura përgjatë së cilave ai përfiton nga një nënshtetësi e dyfishtë franceze dhe angleze, ai shkon në Angli më 1959 (për t’i shpëtuar dhe thirrjes nën armë për në Algjeri) dhe gjen një vend pune si profesor letërsie në Bath. Regjistrimi i tij në Universitetin e Bristolit, për të paraqitur një master në anglisht, mbyllet me një dështim. Dy vjet më pas, ai merr një certifikatë gramatike dhe filologjie me përmendjen « shumë mirë ». Më 1964, mbron një punim Diplome Studimesh Superiore me temën: « Vetmia në veprën e Henri Michaux ».

Aventura e vërtetë letrare e Le Clézio-s fillon me botimin e Procesverbalit, roman i kurorëzuar me çmimin “Renaudot”, 1963. Pastaj fillon një sërë novelash, esesh, romanesh, romancash të cilat kujtojnë personazhe të hasura gjatë udhëtimeve të tij të shumta në Tajlandë, nga ku është dëbuar për « mospërdorim të drejtës së rezervës », në Meksikë ku jeton në vitet 1970-1974 me indianët Emberas dhe Wounaans. Kjo përvojë amerindiane, e cila përzgjatet në vende të tjera, si në Michoacan dhe në Meksikën e Re, e frymëzon për Lufta, I urryer dhe Gjigandët. Jeton nja dhjetë vjet në Jacona, në këmbë të vullkanit Paricutin, ku njihet me mitet e lashta, historinë dhe traditën e amerindianëve. Përkthimi i teksteve si Marrëdhënia e Michoacan dhe Profecitë e Chilam Balam, dhe shkrimi i teksteve tregimore si Ëndrra meksikane, Festa e kënduar, Angoli Mala dhe Ourania, si dhe teksti me natyrë përshkrimore, Diego dhe Frida, dëshmojnë për një robërim të vërtetë të Le Clézio-s nga përfytyrimet amerindiane.

Mbron një tezë me temën « Marrëdhënia e Michoacan » në Universitetin e Perpignan-it. Jep mësim në Universitetin e Meksikës së Re, duke filluar nga viti 1977.

Saharaja Perëndimore, nga ku e ka origjinën bashkëshortja e tij që nga 1975, Jemia, është në pikënisje të frymëzimit për Shkretëtirën, roman i cili nderohet me çmimin “Paul Morand” të Akademisë Franceze më 1980, dhe të botimit të një ditari udhëtimi, Njerëz resh, i cili rrëfen etapat e kësaj endjeje në kërkim të personazheve legjendare, stërgjyshër të së shoqes.

Afrimi i Le Clézio-s me ishullin Maurice ngjan me një kërkim origjinash. Alexis François Le Clézio, i biri i Arnaud Le Clézio dhe i Anne Dutoit, ikur nga Bretagne drejt këtij ishulli, pikërisht pas martesës së tij me Marie Julienne Monple më 18 gusht 1793, bën betim në emër të kurorës britanike më 1810, datë kur fillon kolonizimi anglez. Pasardhësit e tij do të luajnë një rol madhor si në jetën politiko-ekonomike të Maurice-it ashtu dhe në majisjet e tij të ndryshme shoqërore. Të gjithë Le Clézio-t që kanë mbetur atje deri më sot, janë mauricianë. Le Clézio i kushton mjaft vepra kësaj hapësire kujtimore: Kërkuesi i arit, Udhëtim në Rodrigues, Karantina, Sirandanes dhe një pjesë të Tre aventuriereve. Revolucione përmbledh ecjen e pasur dhe të vrullshme të këtij personazhi, shkrimtar i botës, i të gjitha botëve.

Jean-Marie Gustave Le Clézio është fitues i çmimit “Nobel” në letërsi 2008. Në shpalljen e saj për shtyp më 9 tetor 2008, Akademia Suedeze përshëndet « shkrimtarin e shkëputjes, shkrimtarin e aventurës poetike dhe ekstazës shqisore, hulumtuesin e një njerëzimi përtej dhe nën qytetërimin mbizotërues ». Duke mbivendosur me njëra-tjetrën përfytyrimet e Evropës, të Lindjes së Mesme, të Amerikës indiane, të Afrikës, të Magrebit, të Oqeanit Indian, të Hebrideve të Reja, në kthjelltësinë dhe njëkohësisht në terrin e tyre, Le Clézio tregon që përvoja njerëzore është një dhe e vetme, që mënyrat e saj të ndryshme janë po aq nxitëse, të pasura dhe pjellore sa dhe rrënjësisht të tjera. Çështja qendrore që shtron vepra lekleziane, dhe që më në fund i ka vlejtur çmimin “Nobel”, është: “Ssi të mendohet larmia dhe gjithëpërfshirja pa e thyer unitetin?”

Sot jeton në Albuquerque, Meksikë e Re, SHBA.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›