Epidemi gripi në Durrës, dhjetëra në spital
Strukturat e Shëndetit Publik deklarojnë se “në Durrës ka një shtim të numrit të vizitave nëpër ambulancat e lagjeve gjatë ditëve të fundit. Kjo është një situatë virale e cila ka prekur më tepër moshat e rritura dhe më pak fëmijët, e importuar nga ardhja e emigrantëve”. Rreziku i mungesës së trajtimit të këtyre rasteve mund të sjellë pasoja deri në ftohtësirë ose bronkopneumoni.
Kjo situatë ndihet nëpër administrata të institucioneve të ndryshme në të cilat mungon rreth 30 për qind e punonjësve.
Bluzat e bardha deklaruan se “virusin e gripit e sollën emigrantët të cilët erdhën për të kaluar pushimet e fundvitit në Durrës”. Sipas tyre, ky virus pas disa ditësh inkubacioni shpërtheu duke u shfaqur me temperaturë të lartë, kollë dhe dhimbje muskujsh gjatë ditëve të këtij fillimviti. Mjekët e ambulancave kanë rekomanduar regjim shtrati për të sëmurët si dhe përdorimin e medikamenteve të llojit paracetamol, ferveks dhe tabletave për kollën të shoqëruara me lëngje. Pas tri ditësh me këtë lloj trajtimi, rastet e papërmirësueshme janë kuruar me antibiotikë. Në spitalin e Durrësit, në pavijonin e pediatrisë, sqarojnë se nuk mund të flitet për situatë emergjente. Shefi i pavijonit, Taqo Gjergo, thotë: “Gjatë këtyre ditëve janë shtuar rastet e vizitave në spitalin tonë. Nga 80 vizita në ditë që është mesatarja në periudhë normale, pas vitit të ri janë realizuar 100 deri 120 vizita në ditë”. Një pjesë e fëmijëve të sëmurë janë shtruar në spital pasi janë paraqitur me simptoma më të rënda. Nga 70 shtretër që ka pavijoni i fëmijëve, janë zënë 26 prej tyre. Ndërkohë, virusi ka ndikuar në mënyrë më të ndjeshme te të rriturit. Këtë e tregon numri i lartë i vizitave nëpër ambulancat e lagjeve në të cilat vërehen radhë gjatë orëve të paradites. Ndërkohë që kjo situatë virale ka ulur aftësinë për punë të rreth 30% të administratës shtetërore nëpër institucione të ndryshme.
Mjekët kanë rekomanduar trajtim serioz të gripit i cili, nëse neglizhohet, shkakton ndërlikime të tjera deri në bronkopneumoni. Ashtu si edhe vjet, virusi i gripit është mbartur nga emigrantët të cilët erdhën për të kaluar pushimet e fundvitit, por sipas mjekëve, “origjina e tij është Australia e largët”.