Le Houérou takon Berishën: Shqipëria një histori suksesi
Le Houérou u shpreh se për Bankën Botërore, Shqipëria është histori suksesi, me mbështetjen e Agjencisë Ndërkombëtare të Zhvillimit. Këto arritje të rëndësishme, theksoi ai, janë produkt i reformave të vazhdueshme strukturore dhe ngritjes së institucioneve të tregut në Shqipëri, fryt i një menaxhimi të mirë makroekonomik, një sektori privat sipërmarrës, një medie vibrante, një shoqërie civile në rritje dhe e një sistemi politik pluralist. Zv/presidenti i BB-së u shpreh se tani që Shqipëria e ka fituar statusin e një vendi me një nivel mesatar të ardhurash, Banka Botërore tashmë ka kënaqësinë ta kalojë Shqipërinë në grupin e vendeve që përfitojnë financime nga Banka Ndërkombëtare për Rindërtim e Zhvillim, duke ndihmuar kështu aksesin tashmë në rritje të Shqipërisë në tregjet ndërkombëtare të kapitaleve.“Përmes strategjisë sonë të re të partneritetit për Shqipërinë, ambicia jonë është të vazhdojmë të jemi një partner i besueshëm dhe efektiv i popullit shqiptar. Jemi të vendosur për të mbështetur përpjekjet tuaja për të ndërtuar një Shqipëri gjithëpërfshirëse nga pikëpamja sociale, të menaxhuar mirë financiarisht, me një mjedis të qëndrueshëm e që do të bëhet një anëtare me të drejta të plota në BE”, nënvizoi Zv/presidenti i BB-së. Duke u ndalur në zhvillimet e vitit të kaluar, në lidhje me projektin e menaxhimit të integruar të zonës bregdetare, Zv/presidenti i BB-së sqaroi se Bankës Botërore i vjen keq që, në një inspektim që kishte për qëllim të shikonte nëse banka u ishte përmbajtur apo jo politikave të saj, dolën deklarata të pabazuara kundër veprimeve të qeverisë me këtë projekt.