Reporterët për procesin zgjedhor 2009
14/01/2010 Në zgjedhjet e përgjithshme parlamentare në 28 qershor 2009 votuesit shqiptarë zgjodhën parlamentin e tyre të ri të përbërë nga 140 deputetë në 12 qarqe, sipas një sistemi proporcional rajonal.
Ne u referohemi përfundimeve të komitetit ad hoc të Byrosë së Asamblesë Parlamentare, i cili vëzhgoi zgjedhjet parlamentare në Shqipëri më 28 qershor 2009 në kuadër të Misionit të Vëzhguesve Ndërkombëtar të Zgjedhjeve.
Për sa i përket rishikimit të Kodit Zgjedhor në dhjetor 2008, është e rëndësishme të theksohet se amendamentet kushtetuese dhe adaptimi i një kodi të ri zgjedhor ishin rezultat e një konsensusi të gjerë mes dy partive kryesore politike, që u kundërshtuan fuqishëm nga pjesa më e madhe e partive të vogla.
Sipas sistemit të ri zgjedhor, 140 deputetët shqiptarë për herë të parë zgjidheshin nga votimi në një sistem proporcional-rajonal. Pragu për përfaqësim në Parlament ishte vendosur te 3% për partitë politike dhe 5% për koalicionet.
Komiteti ad hoc i Asamblesë Parlamentare thekson se zgjedhjet parlamentare të qershorit 2009 në Shqipëri shënuan një progres falë futjes së procedurave të reja të regjistrimit dhe identifikimit të votuesve si adaptimit të një kuadri të përmirësuar ligjor. Gjithashtu u vunë re përmirësime në funksionimin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.
Këto përmirësime u zbehën nga politizimi i disa pjesëve të procesit dhe nga dhunimet gjatë fushatës elektorale. Këto tronditën besimin e publikut në procesin elektoral.
Dita e votimit ishte e qetë.
Kartat e identitetit
Reporterët shprehen se ndërkohë u vunë re dhe u vlerësuan përpjekjet e bëra nga autoritetet për të plotësuar procesin e vështirë të identifikimit të banorëve të vendit dhe pajisjes me karta identiteti dhe pasaporta të reja. Komiteti ad hoc shpreh keqardhje se kjo çështje u shndërrua në temën kryesore të debatit gjatë fushatës elektorale. Gjithsesi, duhet theksuar se ka nevojë për përmirësim të regjistrit të gjendjes civile dhe regjistrit të votuesve. Sipas raporterëve, ky debat politik solli zbehjen e shumë çështjeve të rëndësishme që shqetësonin qytetarët dhe në fakt duhet të ishin në qendër të debatit.
Mediat në zgjedhje
Bashkëhartuesit e projektraportit, që do të paraqitet para Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës, shkruajnë se, duke marrë në konsideratë të veçantë rëndësinë e rolit të medieve gjatë fushatës elektorale, komiteti ad hoc shprehet i keqardhur dhe disaprovon mungesën e pavarësisë së tyre editoriale. Një tjetër shqetësim i shprehur nga dy hartuesit e projektraportit ka të bëjë me mungesën e transparencës në lidhje me financimin e medieve, si dhe sekreteve për lidhjet mes pronarëve të medieve dhe liderëve të partive politike. Pra, nevojitet rregullimi i mbulimit të fushatës nga mediet dhe transparenca e pronësisë.
Numërimi votave
Në projektraport thuhet se procesi i numërimit të votave u shënua nga një nivel i lartë mosbesimi mes përfaqësuesve të partive politike në të gjitha nivelet e administratës zgjedhore. Në shumë raste numërimi i votave u bllokua përkohësisht. Në disa raste problemi ishte për të vendosur nëse votat nga qendra të caktuara votimi duhej të numëroheshin apo jo. Rrjedhimisht, komiteti ad hoc rekomandon që në zgjedhjet e ardhshme, procesi i numërimit të votave duhet përmirësuar ndjeshëm dhe numri i ekipeve të numërimit të votave rritet në secilën nga qendrat rajonale të numërimit.