Le Pen: As për Sarkozynë, as për Hollandenë

Liderja e Frontit Kombëtar në Francë, Marine Le Pen, e cila u rendit e treta në rrethin e parë të zgjedhjeve presidenciale, ka vendosur të mos mbështesë asnjë prej dy kandidatëve në balotazhin e 6 majit.
Gjatë një tubimi të mbajtur në Paris, Le Pen deklaroi para mbështetësve të saj se nuk do të përkrahë as presidentin aktual, Nicolas Sarkozy, e as kandidatin socialist, Francois Hollande dhe u bëri thirrje atyre që të dëgjojnë ndërgjegjen e tyre.
“Ne jemi shndërruar në qendrën e gravitetit të politikës franceze”, tha Le Pen para mbështetësve të saj. Liderja e ekstremit të djathtë fitoi një rekord votash në rrethin e parë të zgjedhjeve presidenciale, rreth 17,9 për qind,të tyre, duke u renditur e treta pas Hollande dhe Sarkozy.
Sondazhet e fundit të opinionit publik tregojnë se Hollande gëzon një avantazh prej 6 deri 10 pikë kundrejt Sarkozi.