Lë qelinë shitësi i vizave greke
Kreu i shoqatës rome Artur Lamova, i arrestuar pak ditë më parë nga Policia e Korçës për marrjen e parave për viza Shengen nga konsullata greke, është lënë me arrest shtëpie. Lamova ka pranuar para gjykatës akuzën që rëndon ndaj tij dhe nuk ka shfaqur asnjë pretendim edhe për faktin se është kapur në kushtet e flagrancës, kur një shtetas që sapo kishte marrë vizën para konsullatës ka marrë pasaportën për t’i dhënë Lamovës pjesën tjetër të shumës së kërkuar prej 1500 eurosh. Lamova ka pranuar se ka përdorur emrin e shoqatës që drejton për nxjerrjen e vizave Shengen. Sipas prokurorisë, 43-vjeçari duhej të qëndronte në gjendje arresti me burg, por kërkesa e ardhur nga organi i akuzës është rrëzuar nga gjykata, që nga ana e saj ka vlerësuar se vepra penale për të cilën ai akuzohet parashikon një dënim nën 5 vjet heqje lirie, që do të thotë gjobë deri në katër vjet burgim. Por për faktin se 43-vjeçari nuk paraqet rrezikshmëri shoqërore dhe ka pranuar akuzën, duke mos shfaqur asnjë pretendim, janë konsideruar të mjaftueshme nga gjykata për të zbutur masën e sigurisë. Edhe pse e ka pranuar akuzën, Lamova ka thënë se nuk ka marrë para për nxjerrjen e vizave, por vetëm se ka përdorur emrin e shoqatës për paraqitjen e dokumenteve pranë konsullatës.
#