E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ndërhyn për të mbrojtur nipin, masakrohet gjyshja

Dhuna Gruaja 76 vjeçe rrezikon jetën pas goditjeve nga dy bashkëfshatarë

Gjyshja del në mbrojtje të nipit dhe kthehet në viktimë, duke u masakruar në mënyrë barbare. Një e moshuar 76-vjeçare ka përfunduar në spital me plagë të rënda dhe hemorragji cerebrale, pasi është qëlluar barbarisht me grushte dhe gurë në kokë nga dy vëllezër, banorë të fshatit Selcë e Poshtme në zonën e Mokrës. E moshuara R.Kume nga i njëjti fshat me agresorët Arben dhe Jetnor Barçi, ndërhyri në sherrin që zhvillohej mes këtyre dy personave dhe nipit të saj Andi Diko. Gruaja e moshuar ka ndërhyrë për t’i ndarë të rinjtë, por ka rënë pre e dhunës. Sherri kishte nisur kur nipi i së moshuarës, emigrant në Greqi, kishte shkuar për një vizitë në shtëpinë e miqve të tij. Dy vëllezërit e kanë akuzuar Andi Dikon se nga Greqia u kishte dërguar mesazhe dashurie grave të tyre. Arben dhe Jetnor Barçi, të revoltuar nga fakti se miku u ngacmonte gratë, kanë pritur që ai të kthehej nga Greqia për t’u hakmarrë. Në momentin e përleshjes ka qenë e pranishme edhe gjyshja e Dikos, e cila nuk është kursyer nga vëllezërit Barçi, njëri prej të cilëve nuk është mjaftuar me grushtet, por pasi e ka shtrirë në tokë e ka goditur disa herë me gurë në kokë. Banorët e tjerë të fshatit kanë ndërhyrë për t’i ardhur në ndihmë të moshuarës, e cila është transportuar menjëherë drejt spitalit civil të Pogradecit. Sipas policisë, gruaja rrezikon jetën dhe gjendja e saj shëndetësore është kritike. Për shkak të plagosjes me mjete të forta e moshuara ka pësuar hemorragji cerebrale dhe mjekët thonë se gjendja e saj është e rëndë, për faktin se ka pësuar dëmtime edhe në shtyllën kurrizore. Dy autorët janë larguar nga vendi i ngjarjes, ndërsa policia ka shpallur në kërkim edhe nipin e të moshuarës Andi Diko. Vetëm një ditë pas ngjarjes, policia ka mundur të kapë dhe vërë në pranga Arben Barçin, ndërkohë që dy të tjerët janë larguar nga banesa dhe janë shpallur në kërkim policor.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›