Pronari i anijes: Pse po vonon riatdhesimi
Ndërsa 11 marinarët vazhdojnë të qëndrojnë të “burgosur” në anijen e ankoruar në portin libian të Misuratas, administratori i “Bruno” sh.p.k. këmbëngul se bllokimi nuk ka ardhur për shkak të kompanisë, por të vetë ekuipazhit.
Pas një serie shkrimesh në gazetën “Shqip” që kanë përcjellë shqetësimin e ngritur prej familjarëve të marinarëve dhe kapitenit të anijes “Brustel”, pronari i anijes, Alban Tepshi, ka reaguar sërish për të sqaruar pozicionin e tij në këtë çështje.
Pasi shpreh shqetësimin se akuzat e ngritura nga kapiteni Armando Ulqinaku dhe familjarë të marinarëve të anijes po dëmtojnë imazhin e kompanisë, Tepshi jep versionin e tij për statusin e anijes, për riatdhesimin e një pjese të ekuipazhit dhe zëvendësimin e tyre me marinarë të tjerë. Tepshi ka vënë në dispozicion të gazetës edhe një pjesë të korrespondencës së tij me agjentin që kryen shërbimet e anijes në Misurata të Libisë, si dhe faksimile të rezervimit të biletave të avionit për pesë marinarët që do të riatdhesohen.
Për pretendimet e ngritura nga pronari ka reaguar dje nga Libia edhe kapiteni i anijes “Brustel”, i cili këmbëngul se e vërteta qëndron në anën e tij.
Arrestimi i anijesPronari i “Brustel”, Alban Tepshi, thotë se “anija nuk është e arrestuar në Misurata, por nuk ka dalë nga porti, sepse dalja nga porti është refuzuar nga kapiteni i anijes”. Ai sqaron se “sipas rregullave detare arrestimi bëhet nga autoritetet portuale mbështetur në një vendim gjyqi të vendit përkatës. Një vendim i tillë nuk ekziston. Madje agjencia na kërkon me këmbëngulje që t’i mbushim mendjen kapitenit që të nisë lundrimin”. Kjo, sipas Tepshit, vërtetohet nga një mesazh i dërguar më 28 mars nga agjencia “Neptun Shiping”, e cila mbulon shërbimet e anijes.
Nga ana tjetër, kapiteni Armando Ulqinaku thotë se vërtet anija nuk është e arrestuar për momentin, por ka qenë e arrestuar për mosshlyerje detyrimesh deri më datë 28 mars. “Sa i përket gjykatës, unë jam thirrur edhe më 29 mars për të dëshmuar në Gjykatën e Misuratas”, tha dje Ulqinaku. Sipas tij, nëse do të ishte e mundur të lundrohej, agjenti në Misurata duhet të paraqiste një “Sailing Clearance” të lëshuar nga kapitaneria.
RiatdhesimiAlban Tepshi sqaron më tej se “sa i përket riatdhesimit të pjesshëm të ekuipazhit prej 5 vetash, nuk kemi mashtruar siç shkruhet në gazetë”. Ai ka dërguar me e-mail disa faksimile të rezervimit të biletave për pesë marinarët. Rezervime këto që janë anuluar më vonë, pasi sipas Tepshit, “autoriteti i marinës në port anuloi disimbarkimin e kapitenit dhe të mekanikut të parë, për shkak të rregullave detare, deri në mbërritjen e zëvendësuesve përkatës në fillim të javës tjetër”. Ndërkohë, tre anëtarë të tjerë të ekuipazhit pritet të fluturojnë sot nga Tripoli.
Zëvendësimi i ekuipazhitPronari i “Brustel” sqaron gjithashtu se ekuipazhi i ri i anijes është gati prej 10 ditësh për t’u dërguar në Libi, por ende për shkak të procedurave nuk është marrë viza për të hyrë në këtë shtet. “Ne kemi dorëzuar dokumentacionin përkatës të konfirmuar edhe nga Ministria jone e Jashtme në ambasadën Libiane dhe pranë autoriteteve të larta në Libi. Konsullata e Libisë do të vendosë vulat në pasaporta, pasi të vijë konfirmimi nga zyra e emigracionit në Libi. Siç na kanë pohuar zyrtarë të konsullatës, kjo procedurë përfundon në fillim të javës tjetër”, thotë Tepshi.
#