Kapet tjetër ngarkesë marijuane nga Lazarati
Policia e Gjirokastrës ka goditur edhe njëherë trafikun e drogës së Lazaratit, por pa iu afruar fshatit ku mendohet se është magazinuar një sasi shumë e madhe marijuane. Rreth orës 23.00 të së enjtes, policia sekuestroi 50 kg marijuanë dhe shpalli në kërkim dy shtetas që trafikonin lëndën narkotike nga fshati Lazarat për në fshatin Bulo të Komunës së Libohovës. Mbështetur në disa informacione të marra në rrugë operative dhe që për hir të së vërtetës nuk i kanë munguar policisë sa herë që droga del jashtë Lazaratit, dy shtetas po transportonin me krah dhe me këmbë dy çanta shpine të mbushura me lëndë narkotike nga Lazarati në drejtim të malit Bureto me destinacion Greqinë. Specialistët dhe agjentët e sektorit të luftës ndaj trafikut të drogës janë vënë në ndjekje të këtyre shtetasve, të cilët në momentin e pikasjes nga policia ndodheshin në fushën e Dropullit përballë fshatit Goranxi. Për të shmangur shërbimet e dukshme të policisë, trafikantët kishin lëvizur rrëzë kodrës së fshatit Dervician dhe më pas ishin futur në fushën e Dropullit përballë Goranxisë për të lëvizur në drejtim të fshatit Bulo e më pas në drejtim të malit Bureto. Por në momentin që kanë konstatuar se po i ndiqte policia, ata kanë fshehur çantat në një bunker në fushë dhe janë larguar me vrap duke përfituar nga errësira. Mbi bazën e informacioneve të marra në rrugë operative, policia ka bërë të mundur identifikimin e autorëve, të cilët janë një i ri nga fshati Lazarat dhe një i ri nga fshati Bulo. Të dy janë shpallur në kërkim policor. Nga këqyrja e çantave ka rezultuar se në secilën kishte nga 25 pako të mbështjella me letër natriban me peshë një kilogram secila. Në komunikatën zyrtare të policisë bëhet e ditur se ky operacion bëhet në vijim të masave të marra nga ana e Drejtorisë së Policisë së Qarkut Gjirokastër për të rritur forcën goditëse kundër këtij fenomeni me qëllim realizimin e objektivit që ka Policia e Shtetit: që e gjithë sasia e kanabisit që është prodhuar në Lazarat vitet e fundit të sekuestrohet nga policia.
#