Kristaq Arapi: Shkresa nuk u mor parasysh
Ushtria dhe Ministria e Mbrojtjes kishin të gjithë informacionin se fabrika e demontimit në Gërdec ishte ngritur pranë qendrave të banuara, ndërsa nuk kanë marrë asnjë masë për pengimin e ndërtimit të saj. Dëshmitari i radhës i prokurorisë ishte Kristaq Arapi, i cili kishte punuar si specialist i infrastrukturës dhe mjedisit në Komandën e Forcës së Bashkuar. Ai pohoi se kishte qenë në Gërdec dhe se atje kishte vërejtur parregullsi gjatë ndërtimit të fabrikës. “Më 30 prill 2007 kam qenë në Gërdec me përfaqësuesin e kontraktonit amerikan me urdhër të gjeneral Shpëtim Spahiut. Spahiu më tha se amerikani do të më tregonte terrenin ku do të ngrihej fabrika. Ai më drejtoi te këndi sportiv dhe më tha se ‘këtu do të ndërtohet fabrika’. Unë i thashë se është shumë afër rrugës së fshatit, ndërkohë ai mu përgjigj se ‘ky vend është caktuar nga specialistë të tjerë dhe nuk mund të bëjmë asgjë për ta ndryshuar’. Të nesërmen shkova në zyrën e gjeneralit dhe e raportova për situatën, ndërkohë që Spahiu më tha që të përgatis një informacion me shkrim. Unë personalisht i kam sugjeruar gjeneral Shpëtim Spahiut të mos e lidhë kontratën, sepse Forca e Bashkuar nuk kishte asnjë kërkesë nga Ministria e Mbrojtjes për një sipërfaqe prej 200 metrash katrorë, gjithashtu dhe SAC nuk kishte depozituar asnjë dokument. I thashë që Komanda e Forcës së Bashkuar nuk ka fuqi ligjore të japë më shumë se 200 metra katrorë dhe nuk mund të japë leje ndërtimi. Dërguam një shkresë në Ministrinë e Mbrojtjes, në Drejtorinë e Inspektimit të Objekteve Ushtarake, si dhe në Zyrën e Logjistikës në Shtabin e Përgjithshëm, ku i informuam për këtë zhvillim”, tha dëshmitari, duke shtuar se nga fundi i shtatorit, shefi i tij, Zenel Buçana, e informoi se firma kishte marrë më shumë territor se sa ishte parashikuar. “Shkova sërish në Gërdec dhe pashë që firma kishte marrë 500-800 metra katrorë, që ishte betonuar. Menjëherë informova gjeneral Spahiun, i cili më tha që me këtë problem do merrem unë”, përfundoi dëshminë Kristaq Arapi. Dje kanë dëshmuar edhe ushtaraku Xhevdet Baçe, si dhe Agustin Maçi, vëllai i të ndjerit Ilirian Maçi. Agustini tha se i vëllai i kishte thënë se “nëse ndodh një shpërthim, do të ndodhë katastrofë”.
#