Le të rrojnë politikanët dhe miqtë e tyre
Për t’u sinkronizuar me problemet që sjellin fatkeqësi, si ajo në rajonin e Abruzzo-s të Italisë, para pak ditësh në media u dha lajmi i mirë për masat që po merren në vendin tonë për përballimin e dëmeve të mundshme natyrore. Me këtë preokupim ishin ngarkuar të reagonin vetëm spitalet, të cilat duhet të krijojnë ose më saktë do të sajojnë mjedise e shtretër rezervë.
Po shërbimet e varrimeve përse heshtin? Ato duket se nuk janë karagjozë, çka nuk ua lejon profesioni i tyre ose ende s’janë gati as psikologjikisht për pasoja të nivelit të tyre. Po politikanët tanë çka bëjnë lidhur me parandalimin apo zvogëlimin e dëmeve që mund të sjellin dukuri të tilla natyrore? Ata thuhet se po shpejtohen për t’u dhënë dorën e fundit vilave të tyre pozante jo me siguri antisizmike, por nukleare. Kjo ndoshta është arsyeja që mendjeve të tyre të ndritura e fatbardha për kombin tonë nuk u ka dalë koha të prodhojnë idera për masa profilaktike vërtet serioze, fondamentale e dimensionale ndaj kataklizmave që mund të godasin popullatën në përgjithësi.
Rrëshqitjet masive të tokës, shembjet e ndërtimeve, përmbytjet e tërmetet janë rrezik real për vendin tonë, ato kanë ndodhur herë pas here, dimë edhe se Shqipëria përfshihet në zonën sizmike të globit. Para këtij shqetësimi politika qëndron e ftohtë, indiferente, duke lënë shtetasit e saj në mëshirën e fatit. Në këto raste, humbjet, dhembjet dhe shpenzimet sigurisht si gjithnjë do t’i përballojë shpirti dhe pasuria e vetë popullit, kurse VIP-at e politikës nga ngjarjet fatale vazhdimisht kërkojnë të përfitojnë besueshmëri nëpërmjet vizitave hipokrite e fjalimeve patetike, të cilat flitet se nuk u dalin nga shpirti, por ua përgatisin vartësit e tyre.
Kush nuk e di se profilaksia esenciale dhe me afat të gjatë për minimizimin e fatkeqësive natyrore apo atyre aksidentale masive sigurohet kryesisht nëpërmjet cilësisë së lartë dhe përgjegjësisë konkrete ndaj ndërtimeve shtetërore apo private! Po tek ne? Sa shumë ndërtime kryhen pa plan urbanistik, pa studim gjeologjik, pa projekte e preventivë e deri pa asistencë të kualifikuar, e në rastet më të mira aparenca e plotësimit të këtyre kërkesave është formale, me shumë aventurizëm. Kualifikimi dhe saktësimi i legjislacionit për të gjithë ata që ndërtojnë qoftë dhe për nevoja vetjake si dhe rritja e kompetencave dhe e eficencës së organizmave që kërkojnë zbatimin e tij, duhet të ishte bërë kaherë çështje me përparësi për përgjegjësinë që mban politika ndaj shtetasve të vet.
Problemet e sigurisë së popullatës nga aktivitetet abuzive e antiligjore të investitorëve dhe të bizneseve në përgjithësi, fatkeqësisht nuk përbëjnë prioritet për asnjërën anë të politikës as tani në stinën e gënjeshtrave paraelektorale. Për ndërtimet e çdo vlere, llojit e përkatësisë së tyre, sipas rastit qeverisja qendrore apo lokale e bazuar në garancinë dhe përgjegjësinë që duhet të përmbajë “pasaporta” e identitetit teknik, të lëshojnë licencën e përdorimit të çdo objekti. Nëse pretendojmë se vendi ynë qeveriset vërtet e jo gjysmë formalisht, ky detyrim është i mundshëm të zbatohet në çdo skaj të shtetit.
Procedurat skrupuloze rrisin autoritetin pozitiv të politikanëve, ato vënë në udhë të mbarë cilësinë dhe sigurinë e ndërtimeve e bashkë me to dhe ndërgjegjen e të afërmeve të politikanëve të cilët fitojnë deri në grykësi pa kurrfarë keqardhjeje e frike nga pasojat e mundshme që sjell cilësia e dobët e këtij produkti tepër të kushtueshëm në treg, i cili me të drejtë mbart brenda vetes vazhdimisht psikozën kërcënuese të frikës e të pasigurisë, e cila besojmë se do të trokasë më në fund dhe në ndërgjegjen e politikanëve tanë.