E Diel, 1 Nëntor 2026

Ledi Vokshi pas New York-ut, në topless në kërkim të famës



klotilda harka

Nëse herën e fundit u shfaq bionde, tani mund ta shihni brune të theksuar, sepse e ndryshon ngjyrën e flokëve sipas gjendjes shpirtërore. Këngëtarja 25-vjeçare e të gjitha rrymave muzikore vjen në Tiranë për të rënë në sy si Ledi Vokshi. Ka vendosur të harrojë për ca kohë ritmin marramendës të jetës njujorkeze e për të kërkuar famën e shpejtë në vendlindje. Nuk është një shaka, por fakt që artistja durrsake ka bërë me veten për t’u shpallur kështu sfidë këngëtarëve të tjera. Dashuron aparatin fotografik dhe ndaj bashkë me këtë intervistë ka realizuar dhe një set të nxehtë fotografish:
Merreni me muzikë dhe modeling në Nju Jork, por keni lindur në Durrës. Si u gjendët atje?
Unë jam larguar që në moshën 11-vjeçare nga vendlindja ime Durrësi, për t’u vendosur në Nju Jork me familjen. Vetëm gjashtë vitet e fundit kam arritur të krijoj miqësi me artistë apo shqiptarë emigrantë që jetojnë atje, kjo për faktin se këto vite kanë qenë shumë të rëndësishme për karrierën time muzikore. Kam filluar punë në radion shqiptare në Nju Jork dhe po ashtu jam angazhuar me spektakle e koncerte ku kam qenë e ftuar të këndoj muzikë klasike amerikane, të cilën e kam studiuar në shkollë. Por të këndoj në gjuhën shqipe më shijon më shumë. Për mua nuk është njësoj kur shqiptoj “I love you” dhe “Të dua”… ndaj realizova këngën “Goca si ty, Durrësi ka plot” ft Vagabondi, që u pëlqye shumë këtu.
Ka bërë përshtypje shqiponja e pikturuar në shpinën tuaj, në një paradë të shqiptarëve arbëreshë të Italisë në Nju Jork. Ju pëlqen të bini në sy gjithmonë?
Shqiponjën në shpinë ia kërkova me ngulm të ma vizatonte im atë që ka qenë piktor, pasi bashkë me disa artistë shqiptarë marshuam në një paradë të madhe, ku na duhej të binim në sy si shqiptarë. Më pyesni nëse më pëlqen të bie ne sy në përgjithësi?! Përgjigjja do të ishte “Po”.
Dhe jeni kthyer për të qenë e pranishme në skenën shqiptare. Si do arrini të bëni vërtet përshtypje kur bëhet fjalë për një treg të tejngopur me këngëtare të reja?
Dëshira ime është të nis një tjetër karrierë këtu, pasi e dija shumë mirë që s’mund të ecja kurrë përpara si këngëtare dhe nuk do të mund të hyja në tregun shqiptar, nëse nuk do të vija vetë në Tiranë. Sapo kam lançuar në televizion videoklipin “Ti dhashë”, që në fakt është përfunduar verën e kaluar, por për disa konflikte të autorit Kastro Zizo me Supersonic, klipi është mbajtur i bllokuar këto kohë. Tani jam duke punuar me Max Production për një hit veror dhe disa këngë të reja e videoklipe për t’i publikuar të gjitha në verë. Jam e vendosur që nuk largohem nga Shqipëria pa arritur kulmin tim në muzikë.
Pse kjo dëshirë për famë në Shqipëri, shumë mund ta shihnin si kthim pas tuajin ndërkohë që jetoni në Nju Jork?
E vërtetë. E di që për këngëtaret që jetojnë këtu nëse arrijnë të japin koncert në Nju Jork kanë arritur famën, ndërsa për mua një koncert këtu do të ishte një sfidë e madhe. Më ka munguar gjithmonë Shqipëria, edhe pse atje kam qenë pjesë e koncerteve dhe spektakleve të shumta me Aurela Gaçen, Gëzim Nikën apo Merita Halilin.
Thatë pak më parë që do të qëndroni këtu derisa të arrini famën. Keni menduar ndonjë strategji?
Patjetër, pasi të jesh këngëtar i pëlqyer sot nuk mjafton vetëm zëri. Artisti duhet të dalë në skenë si një paketë, pra të kërcejë, të vishet me shije, të jetë provokues, e të dijë të bëjë publikun për vete. Po përpiqem të përfshij vetveten në këngë, gjë që deri tani nuk e kam bërë dhe e quaj gabim timin. Ah, se për pak harrova… do bëj dhe disa skandale, pasi e shoh si mënyrën më të mirë për të marrë famë këtu...
Skandale të tipit? çfarë nuk keni problem të bëni për hir të famës?
Po unë di që shumë këngëtarë këtu bëjnë skandale me qëllim për t’u bërë të famshëm. Ndaj kam planifikuar dy skandale shumë shpejt që do t’i ruaj sekret deri në momentin që do të ndodhin. Do e bëj këtë sa për kunj të këtyre këngëtareve dhe për t’i ulur ato shumë poshtë. çfarë s’kam problem të bëj?! Po ja për shembull të hiqesha si e dashura e disa djemve me radhë, duke përfituar edhe nga fakti që i dashuri im i vërtetë më kupton dhe nuk do të mërzitej, apo të bëja zhurmë në një lokal duke thyer gota e shishe…
Shfaqeni shumë e egër, jeni vërtet kështu?
Jam shumë e egër. E kjo më vjen ngaqë jam dhe shumë impulsive e nëse dikush më acaron mund t’i fluturojë diçka kokës…
Përmendët të dashurin tuaj të vërtetë, mund të tregoni diçka më shumë për të?
Po, ai tani është me mua në Tiranë. Jemi njohur para shtatë vitesh në plazhin e Durrësit dhe kemi bashkëjetuar në Nju Jork. është ish-futbollisti i Teutës, Tiku Sulo, i cili më mbështet shumë në punën që bëj si këngatëre. Jam me fat, pasi është shumë e rëndësishme për një artist që partneri ta kuptojë, përndryshe të duhet të zgjedhësh mes tyre.
Ju s’keni marrë pjesë në asnjë festival, do e provoni dhe këtë sfidë mes këngëtarësh?
Po. Unë asnjëherë deri tani nuk kam konkurruar në festivale dhe arsyeja ka qenë pasi kam dëgjuar që konkurrenca nuk ka qenë e ndershme, dhe shumë këngëtarë janë vlerësuar në bazë të njohjeve që kanë pasur. Por do ta provoj vetë më mirë për të marrë pjesë në të gjithë festivalet duke filluar nga “çelësi muzikor” në Gjilan dhe “Kënga Magjike”. Jam e vendosur të mos largohem nga Shqipëria, pa arritur synimet e mia në muzikë.
Me cilët kompozitorë do bashkëpunoni?
Jam duke bashkëpunuar me kompozitorët e “Max records”.
Po miq këngëtarë keni, a mund të përmendni emra?
Po, mund të përmendja Genta Ismajlin që e kam njohur në Amerikë dhe Noisy-n në Durrës.
Ledi, ju keni arritur të prekni një realitet tjetër në SHBA, a gjeni të përbashkëta mes VIP-ave shqiptarë dhe atyre atje?
Do të thoja që artistët kudo në botë janë njerëz të vetmuar, janë vërtet të famshëm dhe fama i ka bërë të izolohen e t’u humbin nga sytë fansave. Ndërsa në Shqipëri mendoj se ende nuk kemi artistë që e kanë prekur famën e vërtetë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›