E Shtunë, 31 Tetor 2026

La Liga polemika ne start

Sikur të mos mjaftonte kriza financiare që ka goditur klubet spanjolle, ky edicion i La Liga-s ka nisur menjëherë mes polemikave. Nuk bëhet fjalë për problemet e grevës së lojtarëve, apo për debatet rreth orareve të ndeshjeve.

Gjithçka lidhet me episodet në fushën e lojës, në ndeshjen ku Reali i Madridit debutoi në “Santiago Bernabeu” me rezultatin 1-1 përballë Valencias. Edhe pse ky barazim është cilësuar një hap fals, “merengues” duhet të jenë të kënaqur, pasi mund të kishin humbur.

Valencia arriti të shënonte edhe golin e dytë me kapitenin Roberto Soldado, rrjetë e anuluar për pozicion të parregullt. Ky moment ka mjaftuar të ndezë polemikat për favorizim të madrilenëve.

Së pari, sepse tifozët e pranishëm në stadium e kuptuan që bëhej fjalë për një vendim të gabuar të gjyqtarit, pas sinjalizimit të asistentit. Së dyti, sepse ata që e ndoqën ndeshjen në televizor, nuk kishin mundësi të shikonin përsëritjet e imazheve, për të krijuar një opinion.

Kamerat televizive nuk e kanë kapur aksionin e Valencias, ndërsa janë transmetuar vetëm pamje që nuk tregonin asgjë. Diçka e pabesueshme, për një ndeshje të niveleve të tilla, ku në stadium vendosen mbi 20 kamera për të kapur çdo detaj, sado të vogël.

Debatet për startin me favorizime ndaj Realit të Zhoze Murinjos janë bërë më të forta pas disa fotografive që qarkullojnë në të gjithë botën dhe tregojnë qartë se Soldado ishte në pozicion të rregullt.

Një start aspak i mirë ky për La Ligën dhe mbi të gjitha polemika që e nxehin edhe më shumë “El Clasicon” e vlefshme për Superkupën e Spanjës, ku ndeshja e parë do të luhet të enjten në “Kamp Nou”, ndërsa sfida e kthimit për trofeun e parë sezonal është përcaktuar të zhvillohet më 29 gusht në “Santiago Bernabeu”.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›