E Shtunë, 31 Tetor 2026

Juve enderrohet Del Piero

I kishte përshëndetur të gjithë në një pasdite pranvere, me trofeun e Serisë A në duar dhe të gjithë stadiumin që e brohoriste. I kishte përshëndetur ngjyrat bardhezi kundër dëshirës, megjithatë i buzëqeshur dhe i emocionuar.

Më pas, deklaroi se do të kërkonte një skuadër të re, njësoj sikur të ishte një djalosh 18-vjeçar. Megjithatë, e vërteta është që Aleks Del Piero, kapiteni legjendar i Juventusit, nuk ishte larguar asnjëherë nga orbita e “Zonjës së Vjetër”.

“Pinturikio” nuk është shkëputur asnjëherë nga shokët e skuadrës, nga tifozët, por mbi të gjtiha nga fanella me numrin 10, që e ka mbajtur në shpinë për 19 vjet dhe tashmë ka mbetur pa zot. Klubi nuk ia ka caktuar askujt numrin historik që shumë shpejt mund ti rikthehet atij që i takon me të drejtë. Del Pieros, të vetmit që mund ta mbajë vërtetë 10-ën.

Gjatë këtyre muajve, 37-vjeçari ka marrë oferta nga gjysma e botës: Kina, SHBA, Rusia dhe Anglia dhe shifrat për një ikonë si ai janë faraonike. Por, i ka refuzuar të gjitha. Duket se atij i intereson vetëm të luajë me Juventusin.

Për momentin, rikthimi i Alesandro Del Pieros te bardhezinjtë është vetëm një spekulim i merkatos, megjithatë shumë shpejt negociatat mund të marrin formë.

Lojtari pritet që shumë shpejt të takojë presidentin Andrea Anjeli për të shqyrtuar mundësinë e realizimit të hipotezës së rikthimit, me kontratë 1-vjecare dhe pagesë në bazë të paraqitjeve dhe rezultateve. Kaq ka mjaftuar që tifozët bardhezi të ëndërrojnë, ndërsa tashmë diskutohet se Del Piero mund të jetë blerja e madhe e verës.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›