Të hënën pritet të miratohet në Kuvend qeveria e re
Ditën e hënë pritet të mbahet seanca parlamentare gjatë së cilës do të miratohet kabineti i ri qeveritar i kryeministrit Sali Berisha. Lajmi konfirmohet nga burime pranë zyrës së shtypit në Kuvendit të Shqipërisë. E drejta për të përcaktuar ditën se kur duhet të zhvillohet seanca për miratimin e programit politik dhe përbërjes së Këshillit të Ministrave është kompetencë e kryetares së Kuvendit, Jozefina Topalli. Pika 1 e Nenit 110 të Rregullores së funksionimit dhe organizimit të jetës parlamentare sanksionon se, për përcaktimin e datës së kësaj seance, kryetarja e Kuvendit duhet ta vendosë në marrëveshje me kryeministrin. Mandej, ky i fundit duhet t’i paraqesë Legjislativit programin politik të qeverisë dhe përbërjen e tij. Pas paraqitjes së programit politik, çdo deputet dhe grup parlamentar ka të drejtë të paraqesë pyetje për kryeministrin. Pas përgjigjeve të pyetjeve, kryetari i Kuvendit deklaron hapjen e debatit për programin politik dhe përbërjen e Këshillit të Ministrave. Koha e debatit përcaktohet nga Konferenca e Kryetarëve. Në përfundim të debatit, pas fjalës së kryetarëve të grupeve parlamentare, ka të drejtë të flasë kryeministri jo më shumë se 10 minuta. Votimi nga Kuvendi i përbërjes dhe i programit politik të Këshillit të Ministrave bëhet sipas Nenit 58 të Rregullores së Kuvendit, që sanksionon se në rastin e miratimit të programit politik dhe përbërjes së qeverisë, votimi bëhet i hapur me ngritjen e dorës ose nëpërmjet mjeteve elektronike. Referuar neni 97 të Kushtetutës së Republikës, kryeministri Berisha ka në dispozicion 10 ditë afat për t’i paraqitur për miratim Kuvendit programin politik të Këshillit të Ministrave së bashku me përbërjen e tij. Emrat e kabinetit qeveritar i paraqiten për dekretim presidentit. Pas dekretimit atëherë i paraqiten Kuvendit për miratim.
11 Shtator 2009