E Diel, 1 Nëntor 2026

Legalizimet/ ALUIZNI, gati 4426 tapi

4426 qytetarë të kryeqytetit mund të gëzojnë tapinë e shtëpisë së tyre. Drejtoria Rajonale e Agjencisë së Legalizimit, Urbanizimit dhe Integrimit, Zonave/Ndërtimeve Informale ka përgatitur dokumentacionin e nevojshëm tekniko-ligjor për 4426 pasuri. Këto dosje të përgatitura i përkasin qytetit të Tiranës, për 11 njësitë bashkiake. ALUIZNI informon qytetarët se duhet të tërheqin formularin e pagesë. Për të lehtësuar këtë proces formulari mund të tërhiqet jo vetëm pranë zyrave rajonale të ALUIZNI-t, por dhe pranë sporteleve të postës shqiptare si dhe pranë çdo njësie vendore. Në formular përcaktohet tarifa e plotë që çdo person duhet të paguaj ndaj shtetit për të gëzuar tapinë e shtëpisë. Shlyerja e detyrimeve bëhet pranë bankave të nivelit të dytë. Pasi bëhet shlyerja e detyrimeve financiare së bashku me faturën e pagesë qytetarët duhet të paraqiten pranë zyrave të ALUIZNI-t për të marrë tapinë e shtëpisë. Pas këtij procesi bëhet dhe regjistrimi i rregullt pranë Zyrave të Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme. Pak ditë më parë kreu i ALUIZNI-t, Shaban Memia, pohoi për “Standard” se tashmë ka përfunduar azhurnimi në terren për gjithë bashkitë e mëdha po ashtu ka përfunduar dhe procedura e kalimit të pronësisë ndërsa vijon me hapa të shpejtë dhe përgatitja e dosjeve-tekniko-ligjore për të gjitha ndërtimet pa leje të cilat kanë fituar të drejtën e legalizimin. “Çdo javë janë gati 1500-2000 dosje. Vetëm për periudhën qershor-korrik janë përgatitur 40 mijë dosje. Numri i përgjithshëm ka shkuar mbi 70 mijë”, - pohon kreu i ALUIZNI-t. Duke ndjekur këtë ritëm ai pohon se brenda muajit shkurt të vitit që vjen do të jenë të përfunduara procedurat tekniko-ligjore për gjitha zonat informale masive. Kohë pas kohe ALUIZNI bën publik emrat e qytetarëve që kanë gati dosjen tekniko-ligjore duke u dhënë atyre të drejtën të tërheqin pranë Agjencisë faturën e pagesës dhe më pas të shlyejnë detyrimin ndaj shtetit për të marrë tapinë e shtëpisë. Për të lehtësuar këtë proces qeveria ka krijuar mundësinë që pagesat të bëhen me bono privatizimi por gjithashtu mund të merren dhe kredi të buta. Përqindjet e përdorimit të bonove të privatizimit ndahen sipas vendndodhjes së objektit informal dhe sipas sipërfaqes së parcelës që kalon në pronësi të poseduesit të ndërtimit informal. Për objektet pa leje në zona informale (jashtë vijës kufizuese të ndërtimit) për sipërfaqe të parcelës nga 1-500 m² poseduesit e objektit mund të paguajnë deri 70 për qind të vlerës me bono privatizimi. Për pjesën e sipërfaqes së parcelës mbi 500 m², e cila llogaritet me çmimin e tregut në çastin e kalimit të pronësisë, ky rregull nuk aplikohet. Për objektet informale, të ngritura brenda vijës kufizuese të ndërtimit (vija e verdhë) për sipërfaqe të parcelës nga 1-300 m² poseduesit e objektit mund të paguajnë deri 70 për qind të vlerës me bono privatizimi. Për parcela ndërtimore me sipërfaqe mbi 300 m², vlera e të cilave llogaritet me çmimin e tregut në çastin e kalimit të pronësisë, pagesa mund të kryhet për deri 50 për qind të vlerës me bono privatizimi.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›