Legalizimet, Memia kërkon mbështetje politike për ecurinë e procesit
Agjencia e Legalizimit shpërndau dje në kryeqytet 152 leje legalizimit për shtesat në pallate. Gjatë fjalës së mbajtur në këtë ceremoni, drejtori i Përgjithshëm i ALUIZNI-t, Shaban Memia, kërkoi mbështetjen e të gjitha strukturave për realizimin e këtij procesi. Sipas Memisë, disa njësi të pushtetit vendor janë bërë pengesë për ecurinë e procesit. Ai u bëri thirrje qytetarëve që të shlyejnë detyrimet financiare, në mënyrë që të ligjërojnë pronën e tyre. “Ky nuk është një proces politik, por është një reformë shumëdimensionale, që kërkon vullnet të mirë politik”, - është shprehur Memia.
Duke u ndalur në shifra konkrete, Memia u shpreh se për rreth 3 000 objekte tashmë janë shlyer detyrimet financiare, rreth 40 000 objekte janë në proces, ndërsa mbi 12 mijë pasuri, shtëpi, apartamente, dyqane apo struktura social-ekonomike janë legalizuar.
Sipas të dhënave zyrtare të Agjencisë, aktualisht, në mbarë vendin janë në proces përpunimi 134 341 dosje objektesh informale, ndërkohë që ka përfunduar përgatitja e dokumentacionit tekniko-ligjor dhe pritet të legalizohen afro 12 297 objekte informale, të cilat gjenden në fazën përfundimtare të likuidimit të detyrimeve financiare nga qytetarët.
27 Mars 2009