Kryesia e LSI-së shpall kandidaturat të reja për zgjedhjet e 28 qershorit
Lëvizja Socialiste për Integrim ka zyrtarizuar sloganin e saj për fushatën elektorale. Ky slogan do të quhet “Koha për veprim” dhe është miratuar dje gjatë mbledhjes që ka zhvilluar Kryesia e LSI-së. Në këtë mbledhje gjithashtu janë marrë edhe disa vendime të rëndësishme për mbarëvajtjen dhe suksesin e fushatës zgjedhore dhe zgjedhjeve të 28 qershorit. Kryesia e LSI-së miratoi sloganin e fushatës, i cili është “Koha për veprim”, ndërsa Kryesia e Lëvizjes Rinore për Integrim miratoi sloganin “Rinia në veprim”. Gjithashtu, gjatë mbledhjes së djeshme, Kryesia e LSI-së miratoi disa kandidatura për deputetë në qarqe të ndryshme të vendit. Kështu, për qarkun e Shkodrës, përveç kandidaturës së Sokol Axhemit, u miratua kandidatura e Seit Fishtës dhe e Nora Malajt. Në qarkun e Gjirokastrës u miratuan si kandidatura për deputetë Luan Memushi dhe Genc Sinoimeri. Në qarkun e Lezhës, Kryesia e LSI-së vendosi që lista e kandidatëve për deputetë të udhëhiqet nga anëtari i Kryesisë, Gjovalin Bushi. Në mbledhjen e djeshme u miratua lista e plotë e kandidatëve për deputetë të LSI-së në qarkun e Dibrës, të cilët janë: Monika Kryemadhi, Agim Hysa, Ilir Balla, Bajram Krashi, Nazmi Kaja dhe Lutfije Meta. Po dje, gjatë një takimi të zhvilluar në qytetin e Beratit, kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta, ka zyrtarizuar 6 prej 8 kandidaturave me të cilat LSI-ja do të garojë në qarkun e Beratit. Kështu, kandidatët e LSI-së për këtë qark janë Nasip Naço, Tomorr Kapllani, Gledian Rehovica, Mustafa Muçi, Petrit Ago dhe Sadik Muka. Ndryshe nga Partia Demokratike apo nga Partia Socialiste, LSI-ja ka shpallur gjatë kësaj periudhe kandidaturat e saj kryesore për zgjedhjet e 28 qershorit. Një veprim i tillë përkon edhe me deklaratën e muajit janar të kreut të LSI-së, Ilir Meta, i cili tha se në fund të muajit mars LSI-ja do të prezantonte një pjesë të mirë të kandidaturave të saj për deputetë, si dhe do të prezantonte pjesët kryesore të programit të saj elektoral e qeverisës.
27 Mars 2009