E Diel, 1 Nëntor 2026

Legalizimet, bonot e privatizimit do të shlyejnë vetëm 50% të vlerës së objektit

Ervin KOÇI

Qeveria ka vendosur të reduktojë masën e përdorimit të letrave me vlerë në procesin e legalizimeve të ndërtimeve pa leje. Në projektligjin e miratuar në mbledhjen e fundit të Këshillit të Ministrave thuhet se: “çdo pronar i ndërtimit pa leje, mund të paguajë me bono privatizimi deri në 50 për qind të vlerës së parcelës ndërtimore, jashtë vijave të verdha”. Në ligjin ekzistues thuhej se pronari i një ndërtimi pa leje mund të paguante me letra me vlerë në masën 80 për qind të vlerës së parcelës ndërtimore. Gjithashtu në projektligjin e mbështetur nga trupa ministrore theksohet se, “çdo pronar i ndërtimit pa leje mund të paguajë me bono privatizimi deri në 50 për qind të vlerës së parcelës ndërtimore të vendbanimeve/ndërtimeve informale brenda vijave të verdha”.

Vendimi

Vendimi i marrë vetëm pak ditë më parë nga qeveria, ka ulur me 30 për qind masën e përdorimit të letrave me vlerë në procesin e legalizimit të objekteve të ndërtuara pa lejet përkatëse. Projektligji është miratuar pasi së shpejti do të nisë procesi i rimarrjes së bonove të privatizimit nga ana e qytetarëve që depozituan në fondet e investimeve para rreth 15 vjetësh. Ligji, i cili shfuqizon atë të vitit 1995 “Për fondet e investimit”, është botuar në Fletoren Zyrtare dhe sipas procedurës hun në fuqi pas 15 ditësh. Investitorët individë zakonisht janë të prirur drejt investimeve afatshkurtra, ndërkohë që investitorët institucionalë janë të prirur të jenë pjesë e strategjive të investimeve afatgjata, në tregun e titujve, pra në bursë, duke ndihmuar kështu në krijimin e tregut të qëndrueshëm. Tregu i kapitalit në vend është i paorientuar. Pak muaj më parë qeveria ka vendosur riaktivizimin e letrave me vlerë, të cilat më së shumti pritet të përdoren në procesin e legalizimit të ndërtimeve pa leje.

Skema e pagesës

Ligji parashikon dy elemente të rëndësishme për sa i përket shlyerjes së detyrimit financiar nëpërmjet përdorimit të bonove të privatizimit. Elementi i parë parashikon rastin kur parcela ndërtimore ka për funksion banimin. Në këto raste poseduesi i objektit informal mund të shlyejë 80% të detyrimit financiar duke përdorur bonot e privatizimit ose letrat me vlerë. Në rastet kur parcela ndërtimore ka funksion social ekonomik, poseduesi ka mundësi që nëpërmjet skemë së re financiare të paguajë detyrimin financiar duke përdorur letrat me vlerë për 50% të vlerës. Për sa u përket shtesave në pallate, në këtë ligj parashikohen dy raste. Në rastet kur shtesa është bërë në pallatet e vjetra të para vitit 1993 dhe kur shtesa përdoret për banim, qytetari shlyen 80% të vlerës financiare me bono privatizimi. Në rastet kur shtesa është bërë në katet e para, atëherë poseduesi paguan 50% të detyrimit financiar, por vetëm për pjesën takuese, pra pjesa takuese është vetëm pjesa që i takon banorit të katit të parë. Në rast se pallati është pesëkatësh dhe pjesa që i takon atij të katit të parë është rreth 100 metra katrorë, atëherë ai do të paguajë vetëm 1/5 e sipërfaqes. Ndërsa pjesa tjetër do të paguhet nga banorët e tjerë të pallatit. Nga ky ligj nuk mund të përfitojnë pallatet e reja që kanë bërë shtesa përtej lejes së ndërtimit. Kjo kategori nuk përfiton për shkak se kanë detyrimin për të paguar taksa që më pas i shkojnë pushtetit vendor, siç është taksa e ndikimit në infrastrukturë për të cilën nuk mund të përdorin letrat me vlerë, por shlyerja e detyrimeve duhet të bëhet me para kesh.

Bechtel-Enka, kërkon 600 milionë euro për autostradën e Kosovës

Konsorciumi amerikano-turk “Bechtel-Enka” është favorit për të fituar projektin e ndërtimit të autostradës Vërmicë -Merdar. Sipas medieve kosovare, oferta e këtij konsorciumi, që ka ndërtuar edhe autostradën në Republikën e Shqipërisë të njohur si “Rruga e Kombit”, është për afro 500 milionë euro më e lirë sesa ajo e kompanisë hungareze “Strabag”. Këto dy kompani janë të vetmet që kanë konkurruar në tenderin e ndërtimit të autostradës së Kosovës. Pesë kompanitë e tjera të cilat janë përzgjedhur në listën e ngushtë nga kompania konsulente e përzgjedhur nga MTPT-ja, nuk kanë paraqitur letrat financiare në Ministrinë e Transportit. Oferta e kompanisë hungareze “Strabag” ka qenë mbi 1 miliard euro. Ndërsa konsorciumi amerikano-turk ka paraqitur dy oferta të ndara në letrat financiare që i ka dorëzuar në (MTPT), vlerat e të cilave janë gati përgjysmë më të favorshme. “Bechtel-Enka” sipas dokumenteve që ka dorëzuar në Ministrinë e Transporteve është e gatshme që me afro 600 milionë euro t’i kryejë punimet, nëse traseja e autostradës i bie nëpër Qafën e Duhlës, dhe prej aty nëpërmjet tunelit lidhet me Prizrenin. Ndërsa nëse anashkalohet ky tunel dhe traseja e autostradës i bie nëpër fshatrat Komoran-Arrlat dhe nga aty dilet në Pejë, atëherë kjo kompani do ta ndërtonte komplet autostradën për një çmim prej afro 500 milionë eurosh.

Eurostat: Papunësia në BE ka arritur në nivelin prej 8.3 %

Gjithnjë e më shumë lajme dramatike në frontin e papunësisë mbërrijnë nga vendet e Bashkimit Evropian. Sipas të dhënave të Eurostat, norma e këtij treguesi në muajin nëntor ka arritur në 8,3%, kur në vitin 2008 ajo ka qenë 7,1%. Evropianët që kërkojnë punë tani janë 2 milionë më shumë sesa 313 mijë që kanë qenë një vit më parë dhe 30 mijë më shumë se në muajin tetor. Sipas statistikave të Eurostat, shkalla e papunësisë në Eurozonës u rrit në 10% në nëntor, norma kjo më e lartë e shënuar që nga gushti 1998. Të papunë aktualisht në këtë zonë numërohen të jenë 15.712 milion persona, ndërsa vetëm në Itali norma e papunësisë rritet në 8% gjatë fundit të vitit të kaluar, kundrejt 7,1% në të njëjtën periudhë të vitit 2008. Ndërkaq, shkalla e papunësisë vlerësohet për këtë periudhë në nivelin prej 10% në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe me 5,2% në Japoni.

Interesat në tregun ndërbankar të parasë 8 janar

Shtuar me date:2010-01-09 11:28:37
TREGU I BONOVE – 9 janar (BSH) - Të dhënat e Bankës së Shqipërisë për interesat e tregut të bonove te thesarit, date 8 janar 2010....

TRIBID 'Interesi i kërkuar për pranimin e depozitave'
o/n njëditor 3.73%
12M 12-mujor 7.74%
6M 6-mujor 6.64%
3M 3-mujor 5.72%
1M 1-mujor 5.17%
1Ë njëjavor 4.86%
TRIBOR 'Interesi i ofruar për vendosjen e depozitave'
1M 1-mujor 6.75%
1Ë njëjavor 6.33%
o/n njëditor 5.96%
12M 12-mujor 9.53%
6M 6-mujor 8.26%
3M 3-mujor 7.30% Burimi: BSH, përditësimi i fundit: 08 01 2010

11 Janar 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›