Përmbytja, mbi 4 mijë banorë braktisin shtëpitë nën ujë
Situata tejet e vështirë në komunat e qarkut të Shkodrës ka bërë që mbi 4 mijë banorë të braktisin shtëpitë e tyre për shkak të se katet e para të tyre janë përmbytur plotësisht nga uji. Shumica janë pleq, gra e fëmijë që janë larguar nga shtëpitë pasi situata vazhdon të paraqesë rrezik. Banorët bëjnë të ditur se shumica e të larguarve kanë zgjedhur të shkojnë me mirë te të afërmit e tyre, sesa në vendbanimet e vëna në dispozicion nga Komiteti Ndërministror i Emergjencave Civile. Ashtu sikurse bëhet e ditur nga këta banorë, kushtet e vendbanimeve, që kryesisht janë konvikte, nuk janë në nivelin e duhur, ndaj dhe shumica e familjeve të evakuuara janë strehuar te të afërmit e tyre. Nga zonat e përmbytura bëhet e ditur se në shumë shtëpi kryefamiljarët kanë qëndruar për të ruajtur banesat. Megjithëse zona vazhdon të paraqesë rrezik përmbytjeje dhe rritje të nivelit të ujërave, kryefamiljarët kanë vendosur të mos i braktisin banesat për shkak të frikës të ndonjë bastisjeje të mundshme. Po kështu bëhet e ditur se vazhdojnë të qëndrojnë në shtëpitë e tyre mjaft familje, të cilave nuk u është ofruar ende ndihma nga Komiteti i Emergjencave Civile.
Evakuimet
Komiteti Ndërministror i Emergjencave Civile ka bërë të ditur dje se strukturat e Ushtrisë kanë evakuuar dje 200 banorë të lagjes “Livade” të qytetit të Shkodrës. Gjatë ditës së djeshme janë evakuuar 35 banorë të fshatit Luarzë të komunës Velipojë. Burimet zyrtare të informacionit njoftojnë evakuimin e banorëve të fshatit Mali i Jushit pranë komunës Bushat. Sipas Ministrisë së Brendshme, gjatë ditës së djeshme janë dërguar ndihma ushqimore e veshmbathje në ndihmë të banorëve të komunës së Dajçit dhe të Velipojës, sikundër janë përcaktuar magazinat e akomodimit të ndihmave ushqimore që janë dërguar nga Rezervat e Shtetit në repartin e Gjadrit dhe në Uzinën e Telave. Ministria ka bërë të ditur se gjatë ditës së djeshme ka nisur, sipas planifikimit, shpërndarja e ndihmave ushqimore në komunat Velipojë, Berdicë, Bushat, Dajç, Ana e Malit, Guri i Zi, sipas kërkesave të kryetarëve të komunave. Komitetit Ndërministror gjithashtu ka deleguar detyrat për akordimin e ndihmave në zonat e komunave të përmbytura dhe për komunitetin e këtyre komunave që janë brenda dhe jashtë zonës së përmbytjes. Po kështu, Ministria ka informuar se furnizimi me energji elektrike në këto zona është i garantuar 24 orë.
Vendstrehimet
Komiteti i Emergjencave Civile ka bërë të ditur dje se ka marrë të gjitha masat për pritjen dhe kujdesin shëndetësor të popullatës së evakuuar. Sipas të dhënave, funksionojnë të gjitha qendrat e pritjes. Konkretisht, në konviktin e Shkollës Pedagogjike janë strehuar 5 persona të ardhur nga komuna Bërdicë. Në konviktin e Shkollës Industriale janë strehuar 226 persona të ardhur nga komuna Gur i Zi dhe fshati Kuç. Në Hotel Turizmin e Shkodrës janë strehuar 58 persona. Siç shikohet dhe nga të dhënat e Komitetit, nga rreth 4100 banorë të evakuuar, vetëm një numër i vogël banorësh kanë zgjedhur vendstrehimet e vëna në dispozicion nga qeveria, ndërsa të tjerët janë strehuar në shtëpitë e të afërmve të tyre.
Statistikat e numrit të personave të evakuuar për sipërfaqet e tokave dhe shtëpitë e përmbytura
Nr Njësia vendore Tokë e përmbytur Persona të evakuuar Shtëpi të përmbytura
1 Bashkia Shkodër 250 ha 448 330
2 Komuna Dajç 2000 ha 2000 1187
3 Komuna Ana Malit 1200 ha 282 180
4 Komuna Velipojë 2000 ha 25 50
5 Komuna Bërdicë 1800 ha 370 300
6 Komuna Guri Zi 1000 ha 730 200
7 Komuna Bushat 1700 ha 312 150
8 Komuna Qendër, M.Madhe 50 ha 10 8
Gjithsej 10 000 ha 4177 persona 2405 shtëpi
Banorët në Dargjas dhe Shirgj: Shteti po bën propagandë, ne s’po marrim ndihma
Banorët e fshatrave Dargjas dhe Shirgj kanë akuzuar dje strukturat shtetërore për mosmarrjen e masave të duhura në ndihmë të tyre. Ata kanë bërë të ditur se për mëse një javë nuk ka ardhur t’i takojë asnjë përfaqësues i shtetit, madje as kryetari i komunës. Kryefamiljarët kanë bërë të ditur se nuk kanë marrë asnjë ndihmë materiale nga shteti, ndërkohë që për shkak të përmbytjeve nuk kanë pasur as furnizimin me bukë. “Jemi shkatërruar. Ky është një shtet që edhe sot bën vetëm fushatë, vetëm propagandë. Ne jemi në mes të ujit, nuk kemi nga të shkojmë. Rruga e Velipojës në Shkodër është e mbyllur. Ushtria nuk ka ardhur. Këta po derdhin ujë ende dhe mund të përmbytemi më keq. Nuk ka asnjë organizim, nuk ka asnjë plan. Një turp për këtë shtet”, - është shprehur një nga kryefamiljarët e kësaj komune.
Ndërsa një tjetër banore ka bërë të ditur se nuk kanë marrë asnjë ndihmë ushqimore nga qeveria. “Po dëgjojmë qeverinë që thotë po japin ndihma, por ne nuk kemi marrë asgjë, kemi fëmijë dhe pleq”, - është shprehur ajo.
Shkodër, përkeqësohet gjendja edhe brenda qytetit
Situata e përmbytjeve është përkeqësuar gjatë ditës së djeshme edhe brenda qytetit të Shkodrës, ndërkohë që banorët shprehin ankesa për shkak se nuk janë marrë masa për shkarkimin e ujërave nëpërmjet tubave apo tërheqjen e tij me pompa. Në vështirësi ndodhen lagjet e pozicionuara pranë liqenit të këtij qyteti, të cilat po mbushen me ujë gjithmonë e më shumë nga ora në orë. Në zonën e Livadesë janë mbuluar 250 ha tokë, me një nivel që arrin deri në 120 cm. Këtu gjenden mbi 100 shtëpi të përmbytura. Banorët janë larguar për t’u strehuar te te afërmit e tyre, në vende më të sigurta, ndërkohë që kryefamiljarët nuk janë larguar nga banesat, me qëllimin për t’i ruajtur ato nga vjedhjet. “Jemi në vështirësi. Uji sa vjen e rritet. Ne nuk mund të largohemi, pasi kemi frikë mos na vjedhin shtëpitë”, - është shprehur një kryefamiljar i kësaj zone. Niveli i liqenit të Shkodrës vazhdon të jetë në rritje.
Kjo ndodh për shkak të pengesës së shkarkimit të ujit nga liqeni përmes lumit Bunë, i cili pengohet nga rrjedhja e fuqishme e Drinit.
11 Janar 2010