E Diel, 1 Nëntor 2026

Topalli: “Menaxhimi i situatës është bërë me përgjegjësi të lartë”

“Menaxhimi i situatës është bërë me sens të tillë përgjegjësie si asnjëherë më parë”, - është shprehur dje kryetarja e Kuvendit, njëkohësisht deputetja e qarkut të Shkodrës, Jozefina Topalli. Nga fshati i Bërdicës, Topalli bëri të ditur për mediat se rruga nacionale që lidh Tiranën me Shkodrën është e kalueshme për të gjitha mjetet dhe vazhdon furnizimi me ushqime, ujë e ilaçe i banorëve të zonave të përmbytura. “Unë shfrytëzoj rastin, duke iu përsëritur edhe pas dhjetë ditësh banorëve të Dajçit, banorëve të Anës së Malit, Obotit, Bushatit. Velipojës, fshatrave të përmbytura, por edhe lagjeve në hyrje të qytetit, që ata të largohen. Një situatë e tillë nuk i dihet se sa do të zgjasë. Detyra jonë është për t’i larguar këta banorë dhe kërkohet bashkëpunimi i tyre”, - është shprehur Topalli, ndërsa shtoi se Komiteti Ndërministror po e ndjek situatën minutë pas minute. “Numri i të evakuuarve është rritur, por ne do të dëshironim që në këto zona të përmbytura të mos kishte asnjë banor të rrezikuar dhe në mënyrë të veçantë fëmijët e të sëmurët. Ftesa është për të gjithë banorët, e përsëris, bashkëpunimi i tyre me pushtetin vendor, me komitetin ndërministror, me ushtrinë, me policinë është kusht i domosdoshëm që asnjërit të mos i ndodhë gjë”, - është shprehur Topalli. E pyetur lidhur me zërat që thonë se ndihmat nuk po shkojnë atje ku duhet, kryetarja e Kuvendit tha se angazhimi i të gjitha strukturave shkon përtej asaj që mund të imagjinohet. “Kemi si asnjëherë më parë një menaxhim me sens të madh përgjegjësie dhe qëndrim më afër njerëzve”, - është shprehur Topalli.

11 Janar 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›