E Diel, 1 Nëntor 2026

Vazhdon situata emergjente, Italia dhe Greqia dërgojnë ndihma materiale

Shtatë vende të NATO-s dërgojnë pompa, helikopterë e varka
Eljona Ballhysa
Ndërkohë që situata emergjente për shkak të përmbytjeve në Veri të vendit futet në ditën e dhjetë të saj, në ndihmë të qeverisë shqiptare dhe të autoriteteve lokale kanë ardhur dje ndihma materiale nga shtatë vende anëtare të NATO-s, kryesisht nga dy vendet fqinje, Italia dhe Greqia. Komiteti Ndërministror i Emergjencave Civile i ngritur nga qeveria shqiptare njoftoi menjëherë Qendrën e Emergjencave të NATO-s, duke qenë se vendi ynë tani është anëtar me të drejta të plota në NATO, kjo qendër u bëri apel vendeve anëtare për dhënien e ndihmës vendit tonë sipas kërkesave dhe specifikimeve. Gjatë ditës së djeshme këtij apeli i janë përgjigjur shtatë shtete evropiane, të cilat kanë dërguar ndihma në drejtim të vendin tonë, kryesisht në pajisje logjistike për të përballuar situatën e përmbytjeve në Veri të vendit. Ndihma të tilla kanë ardhur më së shumti nga dy shtetet fqinje, Italia dhe Greqia, ndërsa nuk kanë munguar ndihma nga Franca, Sllovenia, Austria, Kosova etj.
Ndihmat
Disa automjete ushtarake të Aleancës së Atlantikut janë futur dje në territorin shqiptar nga pika kufitare e Kakavijës. Bëhet me dijeni se automjetet në fjalë do të shërbejnë në të njëjtën kohë edhe si mjete ndërhyrëse në kuadrin e përmbytjeve në Veri të vendit. Ndërkohë që ato përmbajnë edhe materiale ushqimore për t’u ardhur në ndihmë nevojave të të përmbyturve në Shkodër dhe Lezhë. Shteti grek ka dërguar në Shqipëri 4 automjete zjarrfikëse, 4 varka shpëtimi, 9 pompa për nxjerrjen e ujit, 5 gjeneratorë, si dhe mjete të tjera logjistike që shërbejnë për evakuimin e personave në nevojë në raste fatkeqësish natyrore. Italia ka ndihmuar Shqipërinë në një situatë të tillë emergjence me dy helikopterë tip “ACH 47” me kapacitet transporti 37 trupa, 12 autobote, pompa, varka, tenda, gjeneratorë, ushqime, medikamente dhe veshje. Sllovenia ka dërguar drejt Shqipërisë 13 gjeneratorë (GNR), Austria gjithashtu ka dërguar 8 gjeneratorë (GNR), Franca ka dërguar 12 pompa për shkarkimin e ujërave dhe 8 gjeneratorë dhe Moldavia ka dërguar ushqime dhe medikamente mjekësore. Edhe qeveria maqedonase vendosi dje të dërgojë 21 pompa për tharje, 5 gomone dhe 8 tenda të mëdha.
Kosova
Një ndihmë financiare prej 200 mijë eurosh është dërguar nga qeveria e Kosovës dhe që do të përdoren për banorët e shpërngulur nga përmbytjet natyrore të qarkut Shkodër dhe Lezhë. Qeveria e Republikës së Kosovës miratoi në mbledhjen e djeshme akordimin e ndihmës financiare prej 200 mijë eurosh. Gjatë fjalës së tij kryeministri Thaçi ka vlerësuar gatishmërinë dhe solidaritetin nga komunat e Kosovës, qytetarët dhe komuniteti i biznesit për të ndihmuar reduktimin e pasojave të vërshimeve në Veriun e Shqipërisë. Shefi i qeverisë pohoi se është duke u përcjellë me vëmendje të shtuar, por edhe me shqetësim, situata rreth vërshimeve që kanë ndodhur në Shqipëri. “Kemi shprehur dhe shprehim edhe sot gatishmërinë, si gjithmonë, për ndihmë dhe solidaritet. Kemi kontakte të drejtpërdrejta me qeverinë e Shqipërisë dhe janë ndërmarrë masa me dërgimin e pjesëtarëve të Forcës së Sigurisë të Kosovës, por edhe grupe të zjarrfikësve të Kosovës, të cilët tanimë janë atje. Jemi të gatshëm që të rrisim numrin e pjesëtarëve që të ndihmojnë në përballimin e gjendjes”, - theksoi Thaçi. Kryeministri kërkoi nga ministri i FSK-së, Fehmi Mujota, që të rritet numri i pjesëtarëve të FSK-së që do të ndihmojnë në rajonet e rrezikuara nga përmbytjet në Shqipëri. “Të shfrytëzojmë të gjitha mundësitë dhe potencialet që kemi ne në koordinim edhe me ndërkombëtarët, në mënyrë që të jemi më afër qytetarëve atje, të jemi më afër angazhimeve për tejkalimin e kësaj gjendjeje jo të lehtë për qytetarët në Shqipëri”, - tha Thaçi.
Kompanitë
Përveç ndihmave nga qeveri e shtete të ndryshme, këto ditë është vënë re një solidaritet i madh nga komuna të ndryshme dhe nga kompani biznesi që kanë vendosur shuma parash në ndihmë të banorëve të këtyre zonave. Konkretisht, mund të përmendim disa prej tyre si: Bashkia Kamzë me 10 milionë lekë, Komuna Gjakovë me 10 mijë euro, kompania e telefonisë celulare “AMC” me 50 mijë euro, kompania e telefonisë celulare “Vodafone” me 15 milionë lekë, “Çalik Holding” me kompanitë “Albtelekom”, “Eagle Mobile” dhe “BKT” me 150 mijë euro etj. Shumë njësi vendore kanë ofruar ndihma ushqimore pranë Komisionit të Emergjencave Civile të Qarkut Shkodër dhe kanë shprehur gatishmërinë për të strehuar banorët e evakuuar nga shtëpitë e përmbytura. Ndërkaq, Komiteti Ndërministror për Emergjencat Civile ka njoftuar dje se çdo person fizik ose juridik, vendas ose i huaj, që dëshiron të kontribuojë financiarisht për të ndihmuar banorët e dëmtuar nga fatkeqësia natyrore e përmbytjeve në qarqet Shkodër dhe Lezhë, mund të derdhë kontributin përkatës në llogarinë speciale të çelur në të gjitha bankat e nivelit të dytë, që kryejnë shërbime ndaj buxhetit të shtetit, me emërtimin “Kontribut vullnetar për të shpërngulurit nga përmbytjet natyrore të qarkut Shkodër dhe Lezhë”. Kontributi mund të derdhet në lekë, euro, ose dollarë.

Vendet që kanë ofruar ndihmë
Italia - Helikopterë tip “ACH 47” me kapacitet transporti 37 trupa
Sllovenia - 13 gjeneratorë (GNR)
Austria - 8 gjeneratorë (GNR)
Greqia - 2 ekipe zjarrfikësish me një personel prej 29 vetash, 4 makina, se bashku me pajisjet, 2 varka me motorë, 7 pompa të fuqishme
Italia - 12 autobote, pompa, varka, tenda, gjeneratorë, ushqime, medikamente dhe veshje
Franca - 12 pompa dhe 8 gjeneratorë
Moldavia - ushqime dhe medikamente mjekësore

STATISTIKA E NDIHMAVE USHQIMORE TË DËGUARA NGA KOMITETI PRANË NJËSIVE VENDORE
Nr Artikuj ushqimor Nj/m Bashkia Shkodër Komuna Bushat Komuna Dajç Komuna Ana Malit Total
1 Sheqer Kg 500 1000 2500 2000 6000
2 Vaj Litër 450 900 2250 1800 5400
3 Makarona Kg 500 1000 2500 2000 6000
4 Konserva Kg 100 250 650 500 1500
5 Detergjent Kg 250 500 1250 1000 3000
6 Sapun Copë 200 200 800 800 2000
7 Ujë Bidona 5l 924 100 500 1524

11 Janar 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›