Antikorrupsioni, SHBA vlerëson arritjet e qeverisë “Berisha”
Një qeverisje e mirë nën drejtimin e Kryeministrit Sali Berisha, që nuk ka si t’u shpëtojë vlerësimeve të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Korporata e Sfidës së Mijëvjeçarit, Agjencia e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, e cila përkrah me fonde dhe asiston vende të ndryshme në politikat e qeverisjes së mirë, lirinë ekonomike dhe investimet, e ka kualifikuar Shqipërinë për herë të parë mbi mesataren e të gjitha vendeve që përfitojnë nga fondet e saj, në luftën kundër korrupsionit.
Ministri i Shtetit, z. Genc Pollo, bëri dje të ditur: “Në klasifikimin e përvitshëm të Korporatës së Sfidës së Mijëvjeçarit, Shqipëria për herë të parë renditet me 53% mbi vijën mesatare të përcaktuar nga korporata, si indikator thelbësor për politikat efikase të qeverisë në luftën kundër korrupsionit”.
Korporata në klasifikimin e saj bën vlerësimin për 17 indikatorë për të përcaktuar përzgjedhshmërinë e secilit vend që përfiton nga programi i asistencës. Shqipëria është një nga vendet përfituese të programit prag të sfidës së mijëvjeçarit. Pas projekteve One Stop Shop për regjistrimin e biznesit, sistemit elektronik të taksave dhe mbështetjen në fushën e prokurimeve publike, vendi ynë, falë performancës së mirë, u bë përfitues dhe i fazës së dytë të programit prag me asistencë të mëtejshme në administratën tatimore si dhe ngritjen dhe fuqizimin e Task-Forcës për antikorrupsionin. Raporti më i fundit i Korporatës së Sfidës së Mijëvjeçarit e rendit Shqipërinë mbi mesataren e të gjitha vendeve që përfitojnë nga ky organizëm për sa i përket luftës së korrupsionit. E thënë me fjalë të tjera, sipas ministrit Pollo, në vlerësimin e kësaj korporate, rritja e mbështetjes ndaj biznesit dhe masat e ndërmarra nga qeveria shqiptare për uljen e varfërisë janë dy drejtimet kryesore që kanë ndihmuar në uljen e dukurisë së korrupsionit në vend në vend. “Tashmë Shqipëria, për sa i përket luftës kundër korrupsionit, është ngritur mbi vijën mesore përcaktuar nga korporata si treguesi thelbësor i një vendi. Kjo do të thotë se ne po i afrohemi programit kompakt që është forma më e lartë e ndihmës që parashikon korporata dhe unë besoj se së shpejti do të kemi lajme të mira në këtë drejtim”, - theksoi ministri i Shtetit, Genc Pollo. Korporata Sfida e Mijëvjeçarit (Millennium Challenge Corporation) shpalli vlerësimet për të gjitha vendet të cilat përfitojnë nga programet e ndihmës së kësaj korporate. Korporata Sfida e Mijëvjeçarit (Millennium Challenge Corporation) kualifikon për herë të parë Shqipërinë mbi mesataren e të gjitha vendeve të cilat përfitojnë nga kjo korporatë, në luftën kundër korrupsionit. Në klasifikimin e hartuar nga Korporata Sfida e Mijëvjeçarit (Scorecard 2010), klasifikim ky i përvitshëm, në indikatorët për Kontrollin e Korrupsionit, Shqipëria për herë të parë renditet me 53%, mbi vijën mesatare të përcaktuar nga Korporata, si një indikator thelbësor për politika efikase të qeverisë në luftën kundër korrupsionit në vend. Vendet përfituese të programeve të ndihmës nga Korporata e Sfidës së Mijëvjeçarit vlerësohen për nivelin e korrupsionit në qeverisjen e të gjitha niveleve, efektin e korrupsionit në të bërit biznes, frekuencën e “ryshfeteve” në kontratat publike, taksat, vendimet gjyqësore etj., nepotizmin në shërbimin civil, vendosmërinë dhe forcën e ligjeve, politikave të qeverisë kundër korrupsionit, besimin e publikut në ndershmërinë e institucioneve financiare dhe tek politika, transparencën dhe mekanizmat e duhur për të luftuar korrupsionin dhe garantuar konkurrencë në biznes, të drejtën e informacionit të qytetarëve për aktivitetin e qeverisë si dhe shumë aspekte të tjera të rëndësishme në drejtim të luftës kundër korrupsionit.