E Shtunë, 31 Tetor 2026

Legalizimet, brenda muajit lista e pronarëve që kompensohen

Pas ndryshimeve të bëra në ligjin "Për legalizimin e ndërtimeve informale", ALUIZNI ka gati listën e ish-pronarëve që do të kompensohen për trojet e tyre. 

Fabiola Çela

 Burime zyrtare pranë Agjencisë së Legalizimit shprehen se, brenda këtij muaji priten të shkojnë në Këshillin e Ministrave për miratim lista e 128 pronarëve të tokës, ku janë ndërtuar gati 100 mijë ndërtime pa leje. Sipas ligjit, leja e legalizimit të ndërtimeve informale do të mund të jepet vetëm pasi të verifikohen emrat e ish-pronarëve, në trojet e të cilëve janë ndërtuar këto objekte. Ndërkohë, personat që janë bërë pjesë e procesit të legalizimit përpara se të marrin lejen e legalizimit, duhet të paguajnë të gjithë detyrimin financiar si çmimin e tokës, tarifën e shërbimit etj. Këto para do të shkojnë për kompensimin e ish-pronarëve dhe vetëm pasi këta të fundit të kenë marrë paratë, atëherë do të mund të jepet tapia, për ata që përfitojnë nga procesi i legalizimit. Ndërkohë, sipas vendimit të qeverisë, në rast se qytetarët paguajnë detyrimin financiar të gjithë njëherësh, do të përfitojnë ulje 20% të vlerës. Kush përfundon këtë proces brenda vitit, do të këtë ulje deri në masën 10%. Ndërsa për ata qytetarë që nuk kanë mundësi financiare për ta paguar menjëherë do të përdoret sistemi me këste deri në 3 vjet. Gjatë kësaj periudhe prona regjistrohet në hipotekë dhe mbetet në pronësi të shtetit, deri në momentin që përfundon pagesa.
Legalizimet
Deri më tani janë llogaritur rreth 350 mijë objekte, të cilët pritet të legalizohen. Në këtë shifër nuk janë të përfshirë shtesat e pallateve të rinj, bëhet fjalë pikërisht për ato pallate, të cilat ndërtuesit nuk i janë përmbajtur planit fillestar. Për pallatet e reja, tapitë do të jepen edhe në rastet kur ndërtuesi nuk e ka paguar detyrimin e tij. Sipas variantit të ri të ligjit, legalizimet do të kryhen në favor të blerësit dhe për shoqëritë e ndërtimit do të ndiqen procedurat për shlyerjen e detyrimeve që kanë ndaj shtetit. Por jo të gjitha objektet pa leje janë bërë pjesë e procesit të legalizimit. Të gjitha ndërtimet pa leje, që janë bërë pas datës 15 maj nuk do të legalizohen. Sipas ligjit, do të merren ndaj personave që kanë bërë ndërtime në zonat arkeologjike, apo në zonat e njohura për përmbytje si dhe në ato me ndotje të madhe, nuk do të pranohet legalizimi deri në rehabilitim. Të dhënat e ALUIZNI-t dhe institucioneve të tjera janë verifikuar në terren për një pjesë të ndërtimeve pa leje. Gjithashtu, edhe objektet e ndërtuara në zonat turistike nuk janë pjesë e procesit të legalizimit. Kjo pasi për këtë kategori ndërtimesh legalizimi i objekteve do të nisë pasi të kryhet përcaktimi i vijës kufizuese të këtyre zonave. Procesi i legalizimit të ndërtimeve informale ishte dhe një ndër premtimet elektorale të qeverisë demokrate. Zyrtarë të lartë të qeverisë kanë premtuar se procesi i formalizimit të ndërtimeve të jashtëligjshme do të mund të përfundojë deri në vitin 2009.

Titujt e pronësisë në dy versione
Qytetarët që të marrin titujt e pronësisë, nuk do të kenë nevojë të prodhojnë dokumente pronësie, si harta, gen-plane, planimetri, sepse dokumentacioni i pronësisë i dhënë nga ALUIZNI është në përputhje me të gjitha kriteret e duhura ligjore. Gjithashtu dokumentacioni i pronësisë është i disponueshëm në dy versione, versionin manual dhe atë elektronik, është dokumentacion i certifikuar dhe i zyrtarizuar me të gjitha të dhënat e pronësisë.

Mbyllet miratimi i zonave informale mbi 5 ha
Është mbyllur tashmë miratimi i zonave informale mbi 5 hektarë. Zonat e tjera janë nën 5 ha dhe miratimi i tyre kryhet nga KRRT-të e qyteteve përkatëse. Në mbledhjen e fundit të KRRTRSH-së u miratua legalizimi i 11364 objekteve informale. Nga ky vendim i KRRTRSH-së përfituan 6 qarqe të vendit. Sipas të dhënave nga Agjencia e Legalizimit deri më tani janë përpunuar 120 mijë pasuri me mbi 5 hektarë me një sipërfaqe ndërtimore prej 3000 ha.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›