E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sanksionet për ata që s’votojnë, Xhafaj: Ide e parakohshme

Socialistët reagojnë pas idesë së hedhur nga kryeministri për sanksione ligjore për ata, që nuk marrin pjesë në procesin e votimit. 

Bashkëkryetari i PS-së në komisionin për Reformën Zgjedhore, njëherësh edhe sekretar ligjor në selinë rozë, Fatmir Xhafaj, e konsideron si të parakohshme një ide të tillë. “Edhe nëse këtë do ta konsiderojmë një opsion për të cilin ia vlen të diskutohet dhe të debatohet, është ende herët për të thënë se cili është dhe cili do të jetë qëndrimi që do të mbahet në këtë rast, por që në krye të herës lind të një problem i madh”, u shpreh Xhafaj. Sipas zyrtarit të lartë të PS-së, kryesor mbetet plotësimi i standardeve zgjedhore. “Është e vërtetë që vendet e tjera e kanë një praktikë të tillë, është që kjo ka efektet e tjera pozitive, por duhet të kemi parasysh se detyrime të tilla të rëndësishme kushtetuese i shoqërojnë edhe me një sërë masash të tjera të rëndësishme siç janë infrastruktura zgjedhore, siç janë regjistrat e shtetasve, siç janë listat zgjedhore dhe natyrisht edhe mjetet e identifikimit të zgjedhësve”, theksoi më tej Xhafaj. Pak ditë më parë, gjatë një konference për shtyp Kryeministri Berisha u shpreh se do kërkojë konsensusin e opozitës për një nismë të tillë. “Një problem mbetet i hapur dhe këtë do ta diskutojmë me opozitën, ai i qytetarëve që nuk votojnë. Ka një grup njerëzish që nuk votojnë, por unë mendoj se së bashku me opozitën mund të përcaktojmë një sanksion ligjor për këtë rast. Ndërsa ata që duan të votojnë, i siguroj se do t’i kenë gati këto dokumente. Kompania është një kompani me kapacitete të jashtëzakonshme. Në raste të tjera, kjo kompani ka dorëzuar miliona karta, në një periudhë kohore gjashtë javore ose dymujore”, deklaroi kreu i qeverisë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›