E Shtunë, 31 Tetor 2026

Medvedev nënshkroi marrëveshjen

Edhe disa orë pasi Presidenti rus, Dimitri Medvedev nënshkroi marrëveshjen me gjashtë pika të propozuar nga Franca, për dhënien fund të luftës në Gjeorgji, trupat e tij vazhdojnë të enden të qytetin e Gorit, duke sinjalizuar se nuk kanë ndër mend të tërhiqen shpejt. 

Rusia e ka nënshkruar dje marrëveshjen për armëpushim me Gjeorgjinë. Agjencitë ruse të lajmeve njoftuan se marrëveshjen e ndërmjetësuar nga Presidenti francez Nikola Sarkozi, është firmosur nga Presidenti rus, Dimitri Medvedev. Dokumenti është identik me atë që është nënshkruar në Moskë nga udhëheqësit e rajoneve separatiste të Osetisë së Jugut dhe Abkhazisë. Dokumenti gjashtë pikësh bën thirrje mes të tjerash për tërheqjen e trupave ruse në pozicionet e para shpërthimit të konfliktit më 7 gusht. Kjo marrëveshje u nënshkrua një ditë më parë edhe nga Presidenti i Gjeorgjisë, Mikhail Sakashvili, në praninë e sekretares amerikane të shtetit, Kondoliza Rajs. Në Moskë u dërgua kopja e marrëveshjes për armëpushim, e nënshkruar nga Gjeorgjia. “Presidenti informoi pjesëtarët e Këshillit të Sigurimit se ai e ka nënshkruar planin me gjashtë pika”, tha zëdhënësja e parë e Kremlinit, Natalia Timakova. Por përkundër kësaj, trupat ruse vazhdojnë të enden nëpër qytetet gjeorgjiane, edhe pse marrëveshja u vlerësua si një arritje e madhe për dhënien fund të luftës, liderët perëndimorë vazhdojnë me thirrjet për tërheqjen e armatës ruse nga territori gjeorgjian. Për më tepër dje trupat dhe tanket avancuan drejt kryeqytetit Tbilisi, si për të presionuar më tej liderët proevropianë gjeorgjianë. Ushtarët rusë gjendeshin vetëm pak km larg Tbilisit. Disa prej tyre, të intervistuar nga agjencia “Bloomberg”, thanë se misioni i tyre ishte të ruanin rrugën mes Gorit të kontrolluar nga Rusia dhe Igoetit. Autoritetet ruse thonë se ushtarët e tyre nuk po luftojnë në Gjeorgji, por po vëzhgojnë zjarrpushimet dhe po sigurojnë që edhe forcat gjeorgjiane të bëjnë të njëjtën gjë. Ndërkohë, rusët kanë hedhur në erë një urë kyçe gjeorgjiane që lidh vendet perëndimore në anën e Detit të Zi me këtë vend. Ministria e Jashtme e Gjeorgjisë ka akuzuar trupat ruse se kanë hedhur në erë urën hekurudhore në linjën lindje-perëndim. Ndërsa Moska e ka mohuar pretendimin. Ministri i Jashtëm i Rusisë, Sergei Lavrov tha se, trupat ruse nuk kanë një afat të caktuar kohor për tërheqje nga Gjeorgjia në bazë të marrëveshjes së nënshkruar nga të dyja palët dhe se tërheqja kushtëzohet nga gjendja e sigurisë në rajon. “Sa i përket tërheqjes së njësiteve ushtarake ruse, unë tashmë e kam theksuar se tërheqja do të bëhet pasi të ndërmerren masa shtesë të sigurisë në terren përgjatë pozicioneve të kontingjentit paqeruajtës”, tha ai. Lavrov ka siguruar Sekretaren amerikane të Shtetit,Kondoliza Rajs se “besnikërisht” do të zbatojnë armëpushimin e ri me Gjeorgjinë. Lajmi bëhet i ditur nga burime amerikane, por nuk është konfirmuar nga pala ruse. Rajs zhvilloi një bisedë telefonike me Lavrovin, pas vizitës së saj në Gjeorgji, ku bëri thirrje për tërheqje të menjëhershme të trupave ruse. Në një deklaratë të mëparshme të gjeneralit rus, Anatoli Nogovitsin, thuhej se paqeruajtësit rusë nuk do të largohen asnjëherë nga rajonet separatiste të Osetisë Jugore dhe Abkhazisë. Në një konferencë shtypi, gjenerali Nogovitsin hodhi poshtë njoftimet se Rusia ka bombarduar ura pas hapjes së tryezës së bisedimeve për marrëveshjen e paqes, megjithatë pranoi se urat kanë qenë në shënjestër gjatë luftimeve. “E bëmë këtë për të parandaluar lëvizjet e mëtejshme të reparteve ushtarake, është procedurë normale në kohë lufte. Por tani që është paqe përse duhet të prishim urat, të cilat duhet t’i rindërtojmë?”. Gjenerali shtoi se ushtria gjeorgjiane kishte braktisur disa magazina ushtarake të cilat ishin vënë nën kontrollin rus.

Miliband: Veprimet ruse, të papranueshme                       
Sekretari i Jashtëm britanik, David Miliband deklaroi dje se, agresioni rus kundër Gjeorgjisë dhe kërcënimet ndaj shteteve fqinje, të tilla si Polonia, ishin të papranueshme. Miliband përshëndeti nënshkrimin e marrëveshjes nga Presidenti rus, Dimitri Medvedev, e cila i jep fund konfliktit në rajonin e shkëputur gjeorgjian të Osetisë së Jugut dhe theksoi se prioriteti ishte që të garantohej zbatimi i shpejtë dhe i plotë i angazhimeve të  marrëveshjes.

Hagë, në shtator nisin seancat për Kaukazin  
Gjykata më e Lartë e Kombeve të Bashkuara, do të nisë seancat publike muajin e ardhshëm mbi aplikimin e Gjeorgjisë, për të hedhur në gjyq Rusinë mbi agresionin e saj. Lajmi u konfirmua nga një deklaratë zyrtare e Hagës dhe seancat pritet të zhvillohen nga 8 deri më 10 shtator. Gjeorgjia ka kërkuar masa paraprake për të mbrojtur qytetarët e saj “kundër dhunës diskriminuese dhe forcave të armatosura ruse, bashkë me milicinë separatiste dhe mercenarë nga jashtë”, thuhet në kërkesën e Gjeorgjisë.

Kreu i Kryqit të Kuq në Gjeorgji dhe Rusi 
Kreu i Komitetit Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq do të vizitojë Gjeorgjinë dhe Rusinë për të vlerësuar ndikimin humanitar të luftimeve të fundit. Presidenti i kësaj organizate me qendër në Gjenevë, Jakob Kellenberger mbërrin sot në Tbilisi për bisedime me Presidentin gjeorgjian, Mikhail Sakashvili, ndërsa të martën pritet të vizitojë Moskën, për t’u takuar me zyrtarë të lartë rusë. Ai do të takohet edhe me zyrtarë të Osetisë së Jugut.

Bush: Përparime për krizën në Gjeorgji

Presidenti amerikan Xhorxh Bush, dje gjatë një takimi me ekipin e sigurisë kombëtare tha, se ishin bërë përparime në zgjidhjen e krizës në Gjeorgji. “Fakti që Rusia dhe Gjeorgjia kanë nënshkruar një marrëveshje për armëpushim është një hap shpresëdhënës, por Rusia duhet të respektojë marrëveshjen dhe të tërheqë forcat e saj”, tha Bush. Duke komentuar për gazetarët në fermën e tij në Teksas, Bush deklaroi se Osetia e Jugut dhe Abkhazia janë pjesë e Gjeorgjisë dhe se nuk ka vend për një debat lidhur me këtë çështje. Sekretarja amerikane e Shtetit, Kondoliza Rajs, e cila bisedoi me Presidentin Bush përpara se ai të fliste me gazetarët, vizitoi dje kryeqytetin gjeorgjian Tbilisi për të treguar përkrahjen e SHBA-së, dhe kritikoi Rusinë për veprimet e saj.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›