E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dollapi: Konsumatorët, tani 70% me matës

Së shpejti, nuk do të ketë më fatura aforfe. Kjo, pasi Operatori i Sistemit të Shpërndarjes është duke përfunduar procesin e pajisjen me matës të konsumatorëve. 

Në një prononcim për mediat, kreu i OSSH-së, Sait Dollapi, u shpreh se deri tani rreth 70 për qind e konsumatorëve është pajisur me matës, ndërsa ky proces është parashikuar të vijojë deri në fund të këtij viti, me plotësimin e të gjithë abonentëve. “Ka përfunduar vendosja e sistemit të matësve në disa zona, si në Gjirokastër, Korçë, Elbasan, Berat me përjashtim të Lushnjës, në Kavajë edhe te konsumatorët familjarë dhe në ata privatë, si dhe në zonat e Shkodrës, Fierit dhe Tiranës”, tha Sait Dollapi. Në këtë mënyrë pritet t’i jepet fund një herë e mirë problemit të faturimit aforfe, e cila është kthyer në një gangrenë të vërtetë, pasi një pjesë e mirë e tyre nuk arkëtohen. Në fakt, vendosja e matësve duhet të kishte përfunduar që vitin e kaluar, por pasi tenderi për blerjen e matësve dështoi, KESH i kërkoi Entit Rregullator të Energjisë që të shtynte afatin e vendosjes së matësve. Një kërkesë e tillë u miratua dhe afati i fundit i vendosjes së matësve është dhjetori i këtij viti. Ndërkohë OSSH duhet të përfundojë me patjetër pajisjen me matës të konsumatorëve, duke pasur parasysh këtu, edhe faktin se kjo  kompani është në prag të privatizimit. Procesi i privatizimit të OSSH pritet të përfundojë në muajin shtator. Aktualisht, drejtuesit e OSSH-së kanë dorëzuar të gjithë dokumentacionin e duhur, në lidhje me financat e kësaj kompanie. Në këtë mënyrë katër kompanitë që janë të interesuara për blerjen e OSSH-së e kanë në dispozicion dokumentacionin e plotë të saj. Procesi i privatizimit të OSSH-së është cilësuar si një ndër më të vështirët. Ndërkohë lidhur me mungesën e energjisë elektrike në disa zona të vendit drejtori i OSSH-së ka theksuar se shkak për këto janë remontet, të cilat janë planifikuar që në fillim të vitit. Ai ka shtuar se kjo mungesë e energjisë ka ardhur si pasojë e punimeve në nënstacione dhe jo si rezultat i mungesës së energjisë elektrike. Por sipas tij në këto remonte nuk janë përfshirë zonat turistike, duke qenë kështu edhe zonat më të privilegjuara. “Zonat turistike kanë të garantuar furnizimin me energji elektrike 24 orë dhe në mënyrë të vazhdueshme”, theksoi Dollapi.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›