Një libër për kompozitorin Nikolla Zoraqi
Në 80-vjetorin e lindjes së kompozitorit, Nikolla Zoraqi, prezantohet libri "Jeta mbaron, vepra vazhdon". Kjo vepër të ndihmon mes faktesh dhe shkrimesh të zbulosh vetë portretin që personalitete bashkëkohës i kanë bërë Nikolla Zoraqit. Ai është dhe një guidë në titujt e katalogut të krijimtarisë së autorit si dhe një reflektim i Nikolla Zoraqit për bashkëkohësit e tij. Të dhëna arkivore interesante gjenden dhe në shkrimin e Zamir Këlliçit "Nikolla Zoraqi në arkivin historik të TKOB", etj. Botimi i librit me përballimin financiar të familjes së autorit është një akt dashurie dhe respekti për njeriun e tyre të dashur dhe të madh. Vëllimi është përgatitur nga Zhani Ciko me recensues Zana Shuteriqi-Prela dhe Albert Paparisto, redaktuar nga Kastriot Zoraqi. Poezia epigram dedikuar Nikolla Zoraqit nga poeti dhe miku i tij Fatos Arapi është një vlerë artistike e spikatur që zë vend në të. Prezantimi i librit zhvillohet nesër në orën 19.00, në hollin e Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit.