Në Angli 535 kg drogë Lazarati
Trazhgim Sokolaj
Dy persona që akuzohen se kanë tentuar të trafikojnë 535 kilogramë marijuanë nga Lazarati në Angli, u dërguan dje në gjyq nga Prokuroria e Krimeve të Rënda. Kjo e fundit ka përfunduar hetimet për dosjen penale në ngarkim të personave të pandehur, Beqir Avduli dhe Hasan Avduli, përkatësisht 44 dhe 27 vjeç. Burime nga Prokuroria e Përgjithshme thanë se në përfundim të hetimeve, dosja penale për tentativën e trafikimit të 535 kilogramëve hashash nga Lazarati në Angli, u dorëzua në Gjykatën e Krimeve të Rënda. Të akuzuarit e këtij procesi, Beqir dhe Hasan Avduli, u arrestuan më 8 mars 2009, duke tentuar të trafikonin ngarkesën e drogës, e cila ishte porositur tek ta nga një person që do ta çonte lëndën narkotike në Angli. Por porositësi nuk ia ka arritur qëllimit pasi droga dhe të akuzuarit për trafikimin e saj, janë vënë në pranga nga policia para se ngarkesa me lëndën narkotike të dorëzohej në destinacion. Pas sinjaleve të marra në rrugë operative, që tregonin se Beqir dhe Hasan Avduli, kishin siguruar lëndën narkotike dhe po bëheshin gati për trafikimin e saj jashtë kufijve të Shqipërisë, policia ka vendosur të ndërhyjë. Aksioni i zhvilluar më 8 mars 2009 është koduar me emrin "Darka Jashtë". Gjatë veprimeve të agjentëve të policisë është bërë arrestimi i dy personave të dyshuar dhe sekuestrimi i sasisë prej 535 kilogramë hashash, e cila ishte mbledhur në Lazarat. "Një pjesë e lëndës narkotike ishte vendosur në furgonin me targa Gj 7320 A, ku ishte bërë gati për t'u trafikuar, ndërsa pjesa tjetër e drogës është bllokuar në magazinën e Beqir Avdulit", thanë burimet nga Prokuroria e Përgjithshme. Sipas tyre, ngarkesa ishte përgatitur nga të arrestuarit sipas porosisë që ata kishin marrë më 24 shkurt 2009 nga personi që kërkoi lëndën narkotike. Ky person mësohet se kishte marrë sasi droge edhe dy herë të tjera tek dy personat e arrestuar gjatë aksionit "Darka Jashtë" në Lazarat. Për të realizuar trafikimin e lëndës narkotike mësohet se dy të arrestuarit janë takuar mëse tri herë me porositësin e drogës. Ai nuk ka mundur ta marrë në dorëzim lëndën narkotike pasi mëngjesin e 8 marsit 2009, kur të arrestuarit po bëheshin gati për trafikimin dhe dorëzimin e saj, agjentët e Drejtorisë Kundër Krimit të Organizuar dhe Operacioneve Speciale ndërhynë duke bllokuar lëndën narkotike dhe vënë në pranga zotëruesit e saj. "Pasi kanë rënë dakord për çmimin e shitjes i pandehuri Beqir Avduli ka bërë marrëveshje me porositësin edhe për elementet e tjerë, që kanë të bëjnë me paketimin e mallit për rrugë të largët, sistemimin e tij në çanta të mëdha etj", tha Prokuroria.