E Diel, 1 Nëntor 2026

Legalizimet, gati ndarja e parave për ish-pronarët

 

Fabiola Çela

Javën e ardhshme nis ndarja e parave për ish-pronarët. Në një prononcim për gazetën ‘Panorama’, kreu i ALUIZNI-it Shaban Memia është shprehur se deri më tani janë arkëtuar 600 milionë lekë nga procesi i legalizimit dhe se ndarja e parave për ish-pronarët do të nisë javën e ardhshme.
Fondi
I nisur pak muaj më parë, procesi i legalizimit po ecën sipas parashikimeve. Sipas kreut të Agjencisë së Legalizimeve Memia, aktualisht po vazhdon procesi i ndarjes së lejeve të legalizimit në të gjithë vendin. Përveç lejeve të dhëna deri më tani, janë edhe një numër i konsiderueshëm parcelash, dokumentacioni i të cilave është gati. Sipas Memisë, këtë javë qeveria pritet të miratojë edhe disa dosje të tjera legalizimi. Deri më tani, Agjencia e Legalizimit ka shpërndarë lejet e legalizimit për një numër të konsiderueshëm objektesh. Sipas Memisë, deri më tani nga procesi i legalizimit janë arkëtuar 1.5 miliardë lekë. Nga këto para, 600 milionë do të shkojnë për dëmshpërblimin e ish-pronarëve.
Procesi
Procesi i legalizimit të ndërtimeve informale është parashikuar që të përfundojë brenda këtij viti. Nga procesi i legalizimit do të përfitojnë vetëm objekte të jashtëligjshme që janë vetdeklaruar dhe kanë plotësuar formularët e vetdeklarimit. Deri më tani janë llogaritur rreth 350 mijë objekte, të cilët pritet të legalizohen. Në këtë shifër nuk janë të përfshirë shtesat e pallateve të rinj, bëhet fjalë pikërisht për ato pallate, të cilat ndërtuesit nuk i janë përmbajtur planit fillestar. Për pallatet e reja, tapitë do të jepen edhe në rastet kur ndërtuesi nuk e ka paguar detyrimin e tij. Sipas variantit të ri të ligjit, legalizimet do të kryhen në favor të blerësit dhe për shoqëritë e ndërtimit do të ndiqen procedurat për shlyerjen e detyrimeve që kanë ndaj shtetit. Por jo të gjitha objektet pa leje janë bërë pjesë e procesit të legalizimit. Të gjitha ndërtimet pa leje, që janë bërë pas datës 15 maj nuk do të legalizohen. Aktualisht procesi i legalizimit të ndërtimeve informale është i shtrirë në të gjithë vendin.
Kompetencat
Sipas vendimit më të fundit të qeverisë, të gjitha kompetencat për legalizimin e ndërtimeve informale do t’i ketë Agjencia e Legalizimit. Duke qenë se njësitë e qeverisjes vendore nuk i kishin respektuar afatet e përcaktuara në ligj, atëherë qeveria vendosi që të gjitha këto kompetenca t’i kalojnë agjencisë së legalizimit. Duke qenë se njësitë e qeverisjes vendore i kanë shkelur të gjitha afatet ligjore, të parashikuara për kryerjen e procedurave të legalizimit të ndërtimeve informale, qeveria ka vendosur që ALUIZNI do të kryejë të gjitha procedurat e evidentimit në terren dhe do të përgatisë raportin e gjendjes faktike dhe shqyrtimin për legalizim të ndërtimeve informale.

Kredi për legalizim

Kush nuk ka para për të paguar detyrimet e legalizimit, do të ndihmohet me kredi nga bankat. Sipas drejtuesve të Agjencisë së Legalizimit është duke u parë mundësia e kreditimit për ata persona që nuk kanë mundësi financiare për të paguar vlerën e legalizimit të objektit të tyre. ALUIZNI ka nënshkruar memorandum bashkëpunimi me bankat dhe pritet që ky projekt të finalizohet së shpejti.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›