Alarmi, një shtetas britanik sjell malarien në Tiranë
zirina llambro
Konfirmohet pas 4 vitesh, rasti i parë me malarie në vendin tonë. I prekuri është një nënshtetas britanik, i cili ka mbërritur disa ditë më parë në Tiranë. Lajmi u bë i ditur dje nga Instituti i Shëndetit Publik, ndërsa Drejtoresha e QSUT, Gjeorgjina Kuli, mohoi ekzistencën e sëmundjes. Aktualisht personi i infektuar është i shtruar në spitalin infektiv. Sipas mjekëve, ai po mbahet i izoluar për të shmangur përhapjen e sëmundjes. Pacientit po i bëhen analiza të tjera por paraprakisht ekipi i bluzave të bardha ka konfirmuar se bëhet fjalë për malarie kronike dhe jo për formën më të rëndë të sëmundjes. Mësohet se ky shtetas britanik prej disa vitesh punon në Tiranë në një organizatë jo fitimprurëse. Pas shfaqjes së simptomave, ai është paraqitur për të marrë trajtim në spitalin infektiv. Mosha e pacientit është rreth 40 vjeç. Nga sa pohuan burime të sigurta brenda spitalit, i sëmuri ka pranuar se udhëton shpesh jashtë vendit. Mendohet që virusi i malaries të jetë importuar nga vendet e Afrikës. I sëmuri ka hyrë në territorin shqiptar katër ditë më parë, por nuk është ndaluar në dhomën e mjekut në Aeroportin Ndërkombëtar të Rinasit për të marrë ndihmë mjekësore. Kjo, ndonëse duhet të ndodhte e kundërta. Pasi nga sa ka deklaruar Ministria e Shëndetësisë, për shkak të alarmit të fundit për një futje të mundshme të virusit të gripit të derrave, çdo rast me simptoma të ngjashme duhej raportuar. Shenjat që ka shfaqur pacienti kanë qenë dhembje koke, temperaturë e lartë, shqetësime gastrointestinale, diarre. “Sipas informacioneve operative që kam, rezulton se një pacient i sëmurë me malarie po trajtohet në shërbimin e Infektivit. Mendohet që virusi të jetë importuar nga vendet e Afrikës”, deklaroi dje Drejtori i Institutit të Shëndetit Publik, Alban Ylli. Sipas tij, pacienti është paraqitur me të njëjtin virus edhe një herë tjetër, pranë spitalit infektiv të kryeqytetit. Këtë fakt e ka pohuar edhe Specialistja e Institutit të Shëndetit Publik, Silva Bino. Ajo ka sqaruar se pacienti ndodhet i izoluar në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza”. ”I sëmuri po merr trajtimin e nevojshëm në spital, po kryhen të gjitha ekzaminimet dhe ndodhet në gjendje të izoluar. Stafi mjekësor po e mban nën mbikëqyrje”, tha Bino. Sipas saj, virusi është kronik dhe sëmundja është përsëritur në organizmin e tij. “Në këtë rast nuk bëhet fjalë për një pacient i cili mund të jetë burim infeksioni për të gjithë popullatën. Infeksioni nuk ka pasur vend origjine Shqipërinë, por Afrikën. Kjo nuk përbën asnjë rrezik për popullatën pasi rasti është i izoluar”, tha Bino.