E Diel, 1 Nëntor 2026

Borxhi 250 milionë euro frenon interesat e bonove të thesarit

 

Borxhi i marrë nga qeveria prej 250 milionë euro duket se ka frenuar rritjen e interesave të bonove të thesarit. Në ankandin e fundit të zhvilluar nga Banka e Shqipërisë, interesi i bonove të thesarit një vjeçar ishte 9.13 për qind ndërkohë që një muaj më parë interesi i bonove arriti majat e tij në 9.15 për qind. Shkak për këtë është ulja e kërkesës së qeverisë për para, pas marrjes së kredisë prej 250 milionë euro. Bonot e thesarit janë letrat me vlerë që qeveria i hedh në tregun financiar, nëpërmjet Bankës së Shqipërisë. Sa herë qeveria ka nevojë për para, pret këto letra me vlerë, që quhen bono thesari dhe i shet nëpërmjet Bankës së Shqipërisë. Bonot e thesarit mund të blihen pranë bankave tregtare apo edhe Bankës së Shqipërisë, ose filialeve të saj në rrethe. Është e mjaftueshme paraqitja e letërnjoftimit së bashku me paratë që do investohen. Pas derdhjes së parave, merret vërtetimi nga banka si dhe plotësohet një deklaratë që i bashkëngjitet kërkesës. Dy ditë pas shpalljes së rezultateve të ankandit, mund të shkojmë të tërheqim interesin. Ankandet për bono thesari me maturim tremujor zhvillohen çdo javë, ndërsa ato për bono me maturim gjashtëmujor dhe dymbëdhjetëmujor, çdo dy javë. Sipas përllogaritjeve me interesat aktuale të boneve të thesarit, individëve u leverdis më shumë të investojnë paratë e tyre në bono thesari sesa t’i depozitojnë pranë bankave të nivelit të dytë. Nëse i hedhim një sy tregut vendas të parasë, duket qartë që investimi i parave të lira në bono thesari është më i leverdishmi. Kjo lidhet me faktin që jo vetëm se normat e interesit të bonove të thesarit janë më të larta sesa normat respektive të interesit të depozitave të ofruara nga bankat e nivelit të dytë por edhe të qenit më likuid si investim.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›