E Shtunë, 31 Tetor 2026

Legalizimet, kalendari sipas njësive bashkiake

Autori i Lajmit: Anilejda Shëmbitraku

Drejtoria Rajonale e ALUIZNI- t, Tiranë, ka bërë një grafik në bazë të të cilit vazhdon dhe punën intensive për mbylljen e procesit të legalizimeve. Në këtë kalendar janë përcaktuar të gjitha njësitë bashkiake në Tiranë, si dhe numri i ndërtimeve informate që do të mbyllet në çdo muaj të vitit 2010, duke përfshirë kështu njësitë bashkiake të caktuara për një muaj të caktuar. Sipas drejtorit të drejtorisë rajonale të ALUIZNI-t, i gjithë ky kalendar është bërë për të shmangur ecejaket e qytetarëve, të cilët, të shqetësuar për ecurinë e dokumentacionit të tyre në procesin e legalizimit, interesohen çdo ditë pranë zyrave të drejtorisë rajonale. Njësia Bashkiake numër 1, e ndarë në 4 zona kadastrale, ka gjithsej 3834 ndërtime informate, dokumentacioni i të cilave do të mbyllet në muajt prill dhe maj. Njësia Bashkiake numër 2 ka pesë zona kadastrale, 6118 ndërtime informale të vetëdeklaruara, të cilat janë shqyrtuar në muajin dhjetor 2009, do të shqyrtohen në muajt janar-shkurt 2010. Njësia Bashkiake numër 3, ka gjithsej 3 zona kadastrale, janë gjithsej 24440 ndërtime informale të vetëdeklaruara, të cilat do të shqyrtohen në muajt mars dhe prill. Njësia Bashkiake numër 4, ka gjithsej 3 zona kadastrale, 24360 ndërtime informale të vetëdeklaruara, të cilat janë shqyrtuar në muajin nëntor 2009 dhe muajt janar-shkurt 2010. Njësia Bashkiake numër 5 ka gjithsej 3 zona kadastrale, 2559 ndërtime informale të vetëdeklaruara, të cilat do të shqyrtohen në muajt prill, maj dhe qershor. Njësia Bashkiake numër 6, ka gjithsej 5 zona kadastrale, 3770 ndërtime informale të vetëdeklaruara, të cilat do të shqyrtohen më muajt prill, maj dhe qershor, etj. Të dhëna më të detajuara do të gjenden në tabelën që publikon sot gazeta “Ballkan”. Sipas kësaj tabele kalendar, të fundit për tu shqyrtuar për 2010 janë përgjithësisht të gjitha komunat. Përqindjet e përdorimit të bonove të privatizimit, ndahen sipas vendndodhjes së objektit informal dhe sipas sipërfaqes së parcelës që kalon në pronësi të poseduesit të ndërtimit informal. Për objektet pa leje në zona informale (jashtë vijës kufizuese të ndërtimit) për sipërfaqe të parcelës nga 1-500 m² poseduesit e objektit mund të paguajnë deri 70% të vlerës me bono privatizimi. Për pjesën e sipërfaqes së parcelës mbi 500 m², e cila llogaritet me çmimin e tregut në çastin e kalimit të pronësisë, ky rregull nuk aplikohet. Për objektet informale, të ngritura brenda vijës kufizuese të
ndërtimit (vija e verdhë) për sipërfaqe të parcelës nga 1-300 m² poseduesit e objektit mund të paguajnë deri 70% të vlerës me bono privatizimi. Për parcela ndërtimore me sipërfaqe mbi 300 m², vlera e të cilave llogaritet me çmimin e tregut në çastin e kalimit ë pronësisë, pagesa mund të kryhet për deri 50% të vlerës me bono privatizimi.
Ligji parashikon përfitimin e lehtësive të parashikuara në të, edhe për poseduesit e objekteve informale, që kanë kryer pagesa të mëparshme, të parcelës ndërtimore të objektit.

Likuidimi
Mënyra e pagesës së parcelës ndërtimore të ndërtimit pa leje
1- Pagesa e vlerës së parcelës ndërtimore të ndërtimit pa leje, në proces legalizimi, bëhet:
a) në lekë, në vlerë të plotë monetare;
b) me bono privatizimi, në përputhje me dispozitat e neneve 19, 20 e 21 të këtij ligji.
2- Bonot e privatizimit, të përfituara nga ish-të përndjekurit politikë dhe nga subjektet e tjera gjatë procesit të privatizimit të pronës shtetërore, kanë të njëjtin trajtim me bonot e tjera të privatizimit.
3- Taksat, tatimet dhe detyrimet e tjera financiare, që lidhen me kalimin e së drejtës së pronësisë, bëhen vetëm në lekë”.

Çmimi
Në zonat informale

Për parcelat ndërtimore jashtë vijave të verdha çmimi është si më poshtë:
a) për sipërfaqe deri në 100 m² 100 mijë lekë;
b) për sipërfaqe deri në 200 m² 150 mijë lekë;
c) për sipërfaqe deri në 300 m² 200 mijë lekë;
ç) për sipërfaqe deri në 400 m² 300 mijë lekë;
d) për sipërfaqe deri në 500 m² 400 mijë lekë;
dh) për sipërfaqe mbi 500 m² sipas vlerës së tregut në çastin e kalimit të pronësisë dhe deri në 50 për qind të vlerës, pagesa mund të kryhet me bono privatizimi.
Kur ndërtimi pa leje ka destinacion zhvillimin e veprimtarive social-ekonomike, pagesa e truallit realizohet sipas vlerës së tregut në çastin e kalimit të pronësisë.

Çmimi
Brenda vijave të verdha

Për parcelat ndërtimore të vendbanimeve/ndërtimeve informale brenda vijave të verdha çmimi i shitjes është si më poshtë:
a) për sipërfaqe deri në 100 m² 200 mijë lekë;
b) për sipërfaqe deri në 200 m² 300 mijë lekë;
c) për sipërfaqe deri në 300 m² 400 mijë lekë;
ç) për sipërfaqe mbi 300 m² sipas vlerës së tregut në çastin e kalimit të pronësisë dhe deri në 50 për qind të vlerës, pagesa mund të kryhet me bono privatizimi.
Kur ndërtimi pa leje ka destinacion zhvillimin e veprimtarive social-ekonomike, pagesa e truallit realizohet sipas vlerës së tregut në çastin e kalimit të pronësisë.

Çmimi
Brenda vijave të verdha të shtesave në ndërtime
1- Për sipërfaqet e trojeve, të zëna me shtesa anësore pa leje në ndërtime me leje (jo për shitblerje/qiradhënie etj.), brenda vijave të verdha, çmimi i shitjes është si më poshtë:
a) për sipërfaqe deri në 50 m² 100 mijë lekë;
b) për sipërfaqe deri në 75 m² 200 mijë lekë;
c) për sipërfaqe deri në 100 m² 400 mijë lekë;
ç) për sipërfaqe mbi 100 m² sipas vlerës së tregut në çastin e kalimit të pronësisë dhe deri në 50 për qind të vlerës, pagesa mund të kryhet me bono privatizimi.
2- Kur shtesat kanë destinacion zhvillimin e veprimtarive social-ekonomike, pagesa e truallit realizohet sipas vlerës së tregut në çastin e kalimit të pronësisë.

Ky lajm është publikuar: 25/02/2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›