E Diel, 1 Nëntor 2026

Legalizimet, mazhoranca kundërshton Kushtetuesen

Autori i Lajmit: Suela Topi
Mazhoranca rrëzon vendimin e Gjykatës Kushtetuese, e cila hodhi poshtë si antikushtetuese rreth 12 nene të ligjit “Për legalizimin, urbanizimin dhe integrimin e ndërtimeve pa leje”. Drafti, i kundërshtuar fort nga opozita, gjatë diskutimeve të djeshme në Komisionin e Ligjeve, parashikon kalimin e kompetencave nga pushteti vendor te Agjencia e Legalizimeve në rast se zyrat e urbanistikës dhe këshillat e qarqeve nuk dorëzojnë brenda afateve dokumentet që vërtetojnë aplikimet për ndërtimet e paligjshme. Deputeti i Partisë Socialiste, Pandeli Majko pohoi se Gjykata Kushtetuese ka konkluduar se planifikimi urban dhe menaxhimi i tokës janë kompetenca të plota dhe ekskluzive të autoriteteve vendore. Propozimi i bërë, sipas tij, është në kundërshtim me vendimin e Gjykatës Kushtetuese. Ndërkohë, kreu i Komisionit të Ligjeve, Ilir Rusmali, tha se projektligji bën fjalë për procesin e legalizimit, nuk bën fjalë për administrimin e rregullt të territorit që u përket si kompetencë bashkive dhe komunave. Pavarësisht debateve, amendamenti i propozuar nga deputetët e djathtë për ligjin e legalizimeve është miratuar vetëm me votat e mazhorancës.
Diskutimet
Demokratët e Komisionit të Ligjeve dhe republikani Madhi kanë votuar pro propozimit të 6 deputetëve. Kreu i Komisionit, Ilir Rusmali, tha se funksionet që u janë dhënë këtyre institucioneve janë funksione të deleguara nga ligji bazë, nuk janë funksione të tyre. “Dhe ligji në konceptin e vet ka parashikuar dhe mekanizmin që në rast se institucioni vetë nuk ushtron përgjegjësinë e deleguar, atëherë mund të rimerret nga institucioni që ka kompetencën administrative për këtë gjë. Kështu që ky është thjesht një konkretizim, një detajim që vjen për shkak të boshllëkut që vjen nga vendimi i Gjykatës Kushtetuese”, - tha ai. Por deputeti socialist Majko e kundërshtoi këtë argument, duke pohuar se në vendimin e Gjykatës Kushtetuese thuhet qartë se planifikimi urban dhe menaxhimi i tokës janë kompetenca të plota ekskluzive të autoriteteve vendore. “Jeni konsultuar me vendimin e Gjykatës Kushtetuese, sepse kjo që keni sjellë është tërësisht në kundërshtim me atë që flitet në këtë vendim”, - tha ai. Njëri prej firmëtarëve të nismës, Ramiz Çobaj, pohoi se dhe ata janë konsultuar me vendimin e Kushtetueses dhe propozimi nuk është në kundërshtim me të. “Qëllimi i këtij amendamenti është që të bëhet implementimi i saktë i këtij projektligji të legalizimeve. Në qoftë se një organ, që në këtë rast janë pushtetet vendore, nuk e ushtrojnë të drejtën e tyre atëherë ne nuk mund të lejojmë që ata të bëhen pengesë për zbatimin e një ligji”, - tha ai. Më tej ai shtoi se ky amendament nuk i heq pushtetit vendor të drejtën e administrimit të territorit. “Në bazë të ligjit bazë është pushteti vendor ai që duhet të merret me këtë proces, por nëse brenda një kohe të caktuar ai nuk i ushtron këto kompetenca, atëherë ne nuk mund të lejojmë që ai të bëhet pengesë për ecurinë e këtij procesi. Për këtë është shtuar fjalia e fundit tek neni 1, ku thuhet se afatet dhe mënyra e ushtrimit të këtyre përgjegjësive përcaktohet me vendim të Këshillit të Ministrave”, - tha ai. Por Majko tha se ALUIZNI nuk mund të marrë kompetencat si forca e ndërhyrjes së shpejtë për të rregulluar situatën. “Nga ana ligjore nuk asnjë rëndësi se kush i fiton zgjedhjet me 28 qershor, pasi legalizimi do të vazhdojë, prandaj pse e keni me tendencë që po kaloi afati duhet të futet ALUIZNI. Nëse shkelen afatet, vjen Parlamenti tjetër, shtyn afatet dhe kjo gjë do të vazhdojë dhe pushteti lokal vazhdon punën siç ka qenë. Pse duhet ta mendojmë se çdo gjë mbyllet më 28 qershor. Pse duhet të futet ky handikap, pasi ALUIZNI nuk ka pse të përdoret si forca e ndërhyrjes së shpejtë”, - tha ai.

Amendimi
Neni 10
Si ishte
“Në rast se pas kalimit të afateve, zyrat e Urbanistikës ose këshillat e qarkut nuk ushtrojnë përgjegjësitë e përcaktuara në këtë nen, atëherë ALUIZNI, në përputhje me pikën 4, të nenit 4 të këtij ligji, merr përsipër ushtrimin e këtyre përgjegjësive”.
Si bëhet
“Në rast se pas kalimit të afateve, zyrat e Urbanistikës ose këshillat e qarkut nuk ushtrojnë përgjegjësitë e përcaktuara në këtë nen, atëherë ALUIZNI merr përsipër ushtrimin e tyre. Afatet, mënyra dhe koha e ushtrimit të këtyre përgjegjësive përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave”.
Ky lajm është publikuar: 12/03/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›