E Diel, 1 Nëntor 2026

Mirëmbajtja e pallateve, çdo familje të paguaj tarifën

Autori i Lajmit: Suela Topi
“Një tarifë fikse do të paguhet çdo muaj nga çdo familje e pallatit. Ajo do të jepet me detyrim edhe në rastet kur pronari i shtëpisë nuk banon më aty, e ka dhënë banesën e tij me qira, apo është larguar jashtë vendit”

Banorët e pallateve janë të detyruar të mirëmbajnë ambientet e përbashkëta. Tashmë ky nuk është thjesht një detyrim moral por edhe ligjor. Projektligji më i ri i Ministrisë së Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit sanksionon detyrimet për çdo banor i cili në rast moszbatimi iu nënshtrohet sanksioneve. Projektligji “Për administrimin e objekteve të përbashkëta në ndërtesat e banimit”, i miratuar nga Këshilli i Ministrave ka nisur të diskutohet dje në Komisionin e Ligjeve. Ligji sanksionon qartë se çdo pronar nuk mund të shesë apo japë me qira hyrjen e tij nëse nuk zotohet të shlyej detyrimet. Një tarifë fikse do të paguhet çdo muaj nga çdo familje e pallatit. Ajo do të jepet me detyrim edhe në rastet kur pronari i shtëpisë nuk banon më aty, e ka dhënë banesën e tij me qira, apo është larguar jashtë vendit. Do të jenë vetë banorët e ndërtesës ata të cilët do të caktojnë sa do të jetë tarifa, kush do ta administrojë pallatin, cili do të merret me mirëmbajtjen e pjesës së përbashkët. Duke krijuar atë që në ligj quhet “Asambleja e bashkëpronarëve”, ata do të vendosin për buxhetin dhe paketën e administrimit të ndërtesës njëherë në vit. Vendimet e Asamblesë së Bashkëpronarëve do të merren me shumicë votash. Ndërkohë që do të jenë bashkitë ato që do të inspektojnë mirëmbajtjen e pallateve dhe do të vendosin sanksione në rast shkeljesh.
Problemet e zbatimit
Specialistja e MPPTT-së, sqaroi dje në Komisionin e Ligjeve se gjatë diskutimeve të bëra, përfaqësitë e bashkive apo shoqatës së bashkive nuk kanë ngritur asnjëherë problemin që nuk janë në gjendje për ta zbatuar draftin. “Kuptohet që do ketë nevojë për sensibilizim, për ngritje kapacitetesh por si për çdo ligj tjetër dhe për këtë ligj është një nga pikat kyçe që do ketë nevojë dhe për punë të mëtejshme. E kemi parë këtë eksperiencë edhe në ligjin për programet sociale të strehimit që fillimisht u duk një ligj i vështirë për tu zbatuar por nëpërmjet projektit pilot që kemi me bashkitë kemi parë si po rriten kapacitetet”, - shpjegoi ajo. Specialistja e ministrisë së linjës pohoi gjithashtu se roli më i madh i bashkive do të jetë kryesisht në ndërtesat ekzistuese ku do të ketë më shumë vështirësi zbatimi i këtij projektligji ndërkohë që do të jetë më i lehtë zbatimi i tij në banesat e reja. Ajo sqaroi gjithashtu se një rëndësi e veçantë i është kushtuar dhe standardeve të mirëmbajtjes ku futet mbrojta nga zjarri, higjiena etj. Madje shtoi ajo, do jenë 6 akte nënligjore që do të sqarojnë më tej këtë pjesë.
Pagesa dhe fondi rezervë
Banorët e pallatit do të ngrenë atë që në ligj quhet “Asambleja e bashkëpronarëve” e cila do të vendosë për buxhetin dhe paketën e administrimit të ndërtesës njëherë në vit. Gjithashtu do të krijohet dhe një fond rezerve që mund të përdoret për gjëra të paparashikuara në ndërtesë. Kryesia e kësaj asambleje do të regjistrohet pranë njësive vendore, të cilat do të monitorojnë por dhe duhet të mbajnë regjistrin e bashkëpronësisë. Për herë të parë futet koncepti i administratorit ose i shoqërive administruese të ndërtesës. Në momentin kur kontraktohen, ata kanë të drejta dhe detyrime që duhet t i kryejnë me patjetër. ”Në vartësi të ndërtesës do të jetë edhe paketa e administrimit të saj, por është menduar vendosja e një të tille bazë për secilën ku duhet të përfshihet higjiena, mirëmbajtja, krijimi i kushteve për t u mbrojtur nga zjarri”, - thuhet në relacionin bashkangjitur projektligjit të ri.

Detyrat dhe të drejtat e pronarëve të banesës
“Pronarët e njësisë (e një pjese të ndërtesës” kanë për detyrë të respektojnë normat e bashkëjetesës, të përcaktuara në rregulloren e administrimit të ndërtesave. Ata duhet të paguajnë tarifën e administrimit edhe në rastet kur nuk banojnë apo e kanë dhënë me qira banesën e tyre”, - thuhet në nenin 10 të projektligjit. Sipas tij, pronarët duhet të lejojnë kryerjen e inspektimeve dhe të riparimeve të pronës së përbashkët brenda njësisë në pronësi të tij. Por gjithkush që jeton në një pallat ka edhe të drejtat e tij. ”Pronari ka të drejtë të kërkojë nga bashkëpronarët e tjerë të mos cënojnë përdorimin dhe gëzimin e objekteve të pandashme dhe të kërkojë dëmshpërblim a ndreqje të dëmit, kur ja kanë shkaktuar ata”, -saktëson drafti. Në të cilësohet gjithashtu se çdo pronar i një banese ka të drejtë të informohet për çdo ndryshim që mund të bëhet në hapësirat e përbashkëta. Projektligji parashikon rregulla të qarta edhe për personat që marrin një shtëpi me qira. ”Personat që banojnë si qiramarrës në njësinë e pronarit, duhet të zbatojnë rregullat e caktuara nga asambleja për të gjithë banorët e bashkëpronësisë. Ata mund të marrin pjesë në mbledhjet e saj por pa të drejtë vote”, - thuhet në nenin 12 të ligjit. Detyrimi është i njëjtë edhe për ata persona që banesën e tyre e kanë të dytë, nuk e përdorin apo jetojnë jashtë vendit. Ata duhet të kontribuojnë njësoj si bashkëpronarët e tjerë. Vetëm nëse asambleja e bashkëpronarëve vendos të kundërtën.

Kompetencat e Asamblesë së Bashkëpronarëve
- Miraton kriteret dhe kostot e administrimit, tarifën e administrimit, si dhe mënyrën dhe kohën e pagesës së saj për secilin bashkëpronar
- Miraton paketën e administrimit për atë vit
- Merr vendim për mënyrën e administrimit të bashkëpronësisë
- Autorizon kryesinë të lidhë kontratë më administratorët, bazuar në ofertën më të leverdishme
- Miraton fondin rezervë, duke depozituar në një llogari bankare dhe përcakton kriteret e përdorimit të tij
- Miraton propozimet për dëmshpërblimin, kryesisht me kërkesë të të dëmtuarit, kur i është shkaktuar dëm nga përdorimi i pakujdesshëm i një bashkëpronari tjetër

Sanksione për shkelësit e ligjit
Sanksione për kryesinë, administratorin apo shoqërinë administruese që nuk zbaton aktin e inspektimit. Ky është parashikimi i ligjit, saktësisht në nenin 38 të tij. Aty thuhet se në rast se këto organizma nuk respektojnë parashikimet ligjore atëherë inspektori vendor ka të drejtë të vendosë gjoba. Mosplotësimi i kushteve higjeno-shëndetësore gjobitet me 10 000 lekë ndërsa mosplotësimi i kushteve për mbrojtjen kundër zjarrit me 15 000 lekë. Për çdo rast të përsëritur masa e gjobës shtohet me 20 për qind. Ndërkohë që detyrime ka edhe për afatet e pagesës së tarifës së administrimit. Fillimisht mënyra dhe koha e pagesës së tarifës së administrimit përcaktohet nga Asambleja e Bashkëpronarëve. Më tej nëse një bashkëpronar nuk e paguan tarifën e administrimit në kohën e caktuar për çdo muaj vonesë ai paguan një kamatë të barabartë me 10 për qind të tarifës. Nëse detyrimet e prapambetura nuk shlyhen deri në muajin e tretë atëherë ndërhyn zyra e përmbarimit. “Nëse bashkëpronari nuk ka shlyer pagesën e tarifave të prapambetura as në muajin e tretë, bashkë me kamatat përkatëse, kryesia ose shoqëria e administrimit, e autorizuar nga kryesia, i drejtohet gjykatës për lëshimin e urdhrit të ekzekutimit dhe zyrës së përmbarimit për vënien në ekzekutim të detyrueshëm të vendimit të asamblesë së bashkëpronarëve, për detyrimin e pagimit të tarifave të prapambetura dhe të kamatave përkatëse”, - theksohet në pikën 2 të nenit 27 të projektligjit.

Sanksionet
10 000 lekë për mosplotësim të kushteve higjieno - shëndetësore
15 000 lekë për mosplotësim të kushteve për mbrojtjen kundër zjarrit
Për çdo rast të përsëritur masa e gjobës shtohet me 20%
Ky lajm është publikuar: 12/03/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›