E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Reformat strukturore” e projektligjet që thërrasin!

Adriana Civici

Institucionet ndërkombë-tare vënë alarmin, ndërkohë Qeveria  shqiptare është e sigurt që kriza e thellë e çmimeve nuk prek asnjë shtresë të popullsisë! Rajoni dhe Evropa, përballë turbulencave financiare globale, rritja botërore që parashikohet të ngadalësohet dhe rreziku i madh i përhapjes sidomos në vendet në zhvillim, çekuilibrat dhe sfidat për të përballuar rënien e ritmeve të rritjes ekonomike aq shumë të dëshiruar për Shqipërinë, politikat fiskale dhe politikat shtrënguese monetare dhe makroekonomike, emergjenca për reformat që do të përmirësojnë klimën e biznesit dhe do të rrisin mundësitë e rajonit për të përballuar goditjet, luhatjet e besimit të investitorëve në kushtet e ngadalësimit të rritjes ekonomike në vende si Shqipëria, alarmi për axhustime të papritura që do të diktohen nga kriza e thellë e çmimeve, janë pikat kyçe të trajtuara nga FMN-ja, në botimin e prillit 2008 “Parashikimi Ekonomik Rajonal”. Në një artikull të veçantë, Michael Deppler, Drejtor i Departamentit Evropian të FMN-së, e adreson këtë situatë duke e konsideruar si një vazhdë rreziqesh që kërkon politika të mençura ekonomike e financiare, pikërisht për të siguruar përgatitjen për kohërat e vështira që presim.
Ekonomia shqiptare s’e ka më luksin që të pretendojë rritje të qëndrueshme ekonomike, por duhet të reagojë për të përballuar rënien ekonomike dhe krizën e çmimeve për të cilën është e alarmuar bota globale. Aq më tepër në kushtet kur nga Uashingtoni, presidenti i Bankës Botërore deklaron se ky institucion “nuk do të ofrojë ndihmë të menjëhershme për vendet e rrezikuara, por do të ndihmojë këto vende, të identifikojnë veprime dhe aksione për të zvogëluar pasojat negative të shtresave më në nevojë”.
Kjo, pasi sot të varfrit rrezikojnë ushqimin. Kjo, pasi mallrat e shportës tashmë u vërtetua që janë mbartësit kryesorë të inflacionit të shkuar përtej limiteve normalë në masën 4.6%, dhe që sot janë kthyer në mallra luksi për shtresat e varfra, që pjesën më të madhe të të ardhurave e konsumojnë për ushqimin e përditshëm. Kjo, pasi Shqipëria importon pjesën më të madhe të drithit e, për rrjedhojë, s’ka se si shpëton nga rritja e çmimeve dhe pasojat negative të saj. E ndërsa kryefjala për të gjithë vendet e tjera është “Reformat strukturore”, “Nxitja e prodhimit vendas”, mbështetja e bujqësisë, degë e cila na rezulton për 2008 me zhvillim 5 herë më të ulët se në sektorët e tjerë të ekonomisë, Qeveria shqiptare ka vendosur si prioritet të sajin pemëtarinë dhe ka deklaruar publikisht se nuk do të marrë asnjë masë mbështetëse për drithërat, pavarësisht se çmimi i tyre gjatë dy viteve të fundit është trefishuar, në disa raste dhe katërfishuar!
Në dokumentin “Politikat opsionale për rritjen e çmimeve në botë dhe përgjigja e Bankës Botërore”, kjo e fundit përçon shqetësimin që qeveria shqiptare të mos rrijë indiferente, pasi Shqipëria është një nga vendet që rrezikohet më shumë nga kriza botërore e çmimeve, si dhe mungojnë masat institucionale, legjislative dhe veprimet konkrete të ekzekutivit për rregullimin e krizës së brendshme të çmimeve, duke krijuar një situatë aspak të favorshme dhe solide për zbutjen e efekteve negative të krizës nga jashtë. Tre rekomandimet bazë janë subvencion me para në dorë për të varfrit, ndërhyrje për të ulur çmimet e produkteve ushqimore përmes politikave fiskale dhe masa administrative dhe ndërhyrje për të nxitur rritjen e prodhimit në periudhë afatgjatë. Deri më tani nuk shohim asnjë reagim ndaj këtyre rekomandimeve. Po të veçojmë politikën për ndërhyrje për ulje të çmimeve të produkteve ushqimore përmes politikave lehtësuese fiskale, të cilat do të çojnë në ulje të barrës doganore në importin e produkteve ushqimore, duke sjellë lehtësi për konsumatorët, dhe që kërkojnë në mënyrë të padiskutueshme rishikimin nga ana e qeverisë të disa prioriteteve buxhetore në përshtatje me situatën e re të ekonomisë dhe me këtë keqmenaxhim që po i bëhet krizës në Shqipëri, në Parlament po diskutohet për t’u miratuar projektligji i “Procedurave tatimore”. Ky është një akt i ri që legjitimon klimën e ashpërsuar qeveri/biznes, dhe që duke iu shtuar radhës së gjatë të kundra senseve ekonomike, e duke iu bashkangjitur metodës së fundit shkencore të çmimeve referencë, thekson dhe një herë faktin që “Politikat fiskale dhe sistemi tatimor” në tërësi, nuk po funksionojnë si instrumente zhvillimi, por veçse si mekanizma që e kanë shtrembëruar tregun dhe kanë rritur në maksimum qëndrimet preferenciale, duke fuqizuar fenomenin monopol; që kanë penguar zhvillimin dhe kanë përfaqësuar mentalitetin e vjetruar dhe kthimin prapa në politikat e ekonomisë së centralizuar, (një shembull është vendosja arbitrare dhe e detyrueshme e manualeve të çmimeve të centralizuara, të cilat do të jenë bazë e përllogaritjeve të detyrimeve tatimore për të gjithë shoqëritë e ndërtimit, e deri në arbitraritetin e shtetit që ndërhyn në çmimet e shitjes së apartamenteve të banimit për efekt të llogaritjes së tatimit për individët që shesin apartamentet, ndërkohë që sektori i ndërtimit në përgjithësi, si pasojë edhe e pezullimit të lejeve të ndërtimit, këta dy vjet ndryshe nga më parë ka shënuar rënie sa i takon rritjes ekonomike dhe kontributit që ky sektor jep në ritmet e përgjithshme të rritjes); që po rëndojnë pa masë klimën e biznesit, duke e asfiksuar me qëndrime arbitrare me shtim të paprecedent të barrës fiskale (rritja e çmimit të energjisë, rritja e akcizës së karburanteve, taksa e sheshtë dhe goditja në mënyrë të veçantë ndaj biznesit të vogël), duke rënduar shumë barrën fiskale ndaj qytetarëve dhe shtresave në nevojë, duke mos shmangur evazionin e korrupsionin, por përkundrazi, duke kompromentuar misionin e ashtuquajtur fisnik të forcës së djathtë të një qeverie dhe administrate të shërbimeve dhe shërbesave! Vendosja e referencave për biznesin; Boshllëku institucional nga mungesa e Gjykatës Administrative të Pavarur nga Ekzekutivi; Mospërputhja me legjislacionin e BE-së, duke përfaqësuar rastin më unikal në raport me legjislacionet e ekonomive të ngjashme me ato shqiptare (parapagimi 15% i gjobave, rast i vetëm ai shqiptar); Shtimi i mundësive për korrupsion nga institucionet fiskale deri në marrjen e atributeve të plota të gjyqësorit; Përligjja e bazës ligjore si presion për gjobitje të biznesit; Shtim i kostove të prodhimit dhe shërbimeve vendore; Ulje e konkurrueshmërisë ndaj prodhimeve të huaja; Rritja e subjektivizmit dhe korrupsionit! Të gjithë këto elementë të legjislacionit të ri shqiptar, në mospërputhje të plotë me “direktivat dhe praktikat e BE-së”, pikërisht në një kohë kur vendet e tjera po marrin masa të kundërta dhe lehtësuese të gjendjes së përkeqësuar të ekonomisë botërore, thërrasin dhe flasin qartë për vizionin dhe mbështetjen që qeveria po i jep thellimit të krizës dhe reformat e suksesshme strukturore!

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›