E Shtunë, 31 Tetor 2026

Legalizimet, paratë për 900 pronarë

 

Fabiola Çela

Në fund të muajit nis ndarja e parave për ish-pronarët. Në një prononcim për gazetën "Panorama", kreu i ALUIZNI-t, Shaban Memia, është shprehur se deri më tani janë arkëtuar 400 milionë lekë nga procesi i legalizimit dhe se ndarja e parave për 900 ish-pronarë do të nisë në fund të këtij muaji.
Fondi
I nisur disa javë më parë, procesi i legalizimit po ecën sipas parashikimeve. Sipas kreut të Agjencisë së Legalizimeve, Memia, aktualisht po vazhdon procesi i ndarjes së lejeve të legalizimit në të gjithë vendin. Përveç lejeve të dhëna deri më tani, janë edhe një numër i konsiderueshëm parcelash, dokumentacioni i të cilave është gati. Sipas Memisë, këtë javë qeveria pritet të miratojë dosjet e legalizimit për 4 mijë parcela ndërtimore. Deri më tani Agjencia e Legalizimit ka shpërndarë lejet e legalizimit për një numër të konsiderueshëm objektesh. Sipas Memisë, deri në këtë kohë nga procesi i legalizimit janë arkëtuar 400 milionë lekë. Këto para do të shkojnë për dëmshpërblimin e ish-pronarëve. Memia deklaroi se janë gati 900 ish-pronarë që do të përfitojnë nga ky fond. Sipas tij, ndarja e parave për ish-pronarët do të nisë në fund të këtij muaji.
Procesi
Procesi i legalizimit të ndërtimeve informale është parashikuar të përfundojë brenda këtij viti. Nga procesi i legalizimit do të përfitojnë vetëm objekte të jashtëligjshme që janë vetëdeklaruar dhe kanë plotësuar formularët e vetëdeklarimit. Deri më tani janë llogaritur rreth 350 mijë objekte, të cilët pritet të legalizohen. Në këtë shifër nuk janë të përfshirë shtesat e pallateve të reja, bëhet fjalë pikërisht për ato pallate, të cilat ndërtuesit nuk i janë përmbajtur planit fillestar. Për pallatet e reja, tapitë do të jepen edhe në rastet kur ndërtuesi nuk e ka paguar detyrimin e tij. Sipas variantit të ri të ligjit, legalizimet do të kryhen në favor të blerësit dhe për shoqëritë e ndërtimit do të ndiqen procedurat për shlyerjen e detyrimeve që kanë ndaj shtetit. Por jo të gjitha objektet pa leje janë bërë pjesë e procesit të legalizimit. Të gjitha ndërtimet pa leje që janë bërë pas datës 15 maj nuk do të legalizohen. Aktualisht procesi i legalizimit të ndërtimeve informale është i shtrirë në të gjithë vendin. Vetëm pak ditë më parë, zyrtarët e ALUIZNI-t shpërndanë 150 leje legalizimi në qytetin e Korçës. Me marrjen e lejeve të legalizimit këto objekte nuk do të quhen më të jashtëligjshme. Në qytetin e Korçës ka përfunduar përgatitja e dosjeve për 550 objekteve dhe tashmë ka nisur procesi i ndarjes së lejeve. Sipas drejtuesve të ALUIZNI-t, janë rreth 400 milionë dollarë kapital i vdekur vetëm për qarkun e Korçës, që nuk janë pjesë e tregut, me këtë reformë ky kapital ligjërohet dhe bëhet pjesë e tregut. Qeveria për këtë reformë ka investuar gati 10 milionë euro në teknologjinë më të fundit, e cila do stabilizojë gati 10 miliardë dollarë pasuri në të gjithë vendin. Lejet e para të legalizimit nisën të shpërndahen në 6 mars të këtij viti.
Nuk legalizohen
Sipas ligjit, personat që kanë bërë ndërtime në zonat arkeologjike apo në zonat e njohura për përmbytje si dhe në ato me ndotje të madhe, nuk do t'u pranohet legalizimi deri në rehabilitim. Gjithashtu, edhe objektet e ndërtuara në zonat turistike nuk janë pjesë e procesit të legalizimit. Kjo, pasi për këtë kategori ndërtimesh legalizimi i objekteve do të nisë pasi të kryhet përcaktimi i vijës kufizuese të këtyre zonave. Procesi i legalizimit të ndërtimeve informale ishte dhe një ndër premtimet elektorale të qeverisë de-mokrate. Zyrtarë të lartë të qeverisë kanë premtuar se procesi i formalizimit të ndërtimeve të jashtëligjshme do të mund të përfundojë deri në vitin 2009.

Kush e paguan cash vlerën e legalizimit, përfiton 20% ulje

Kush e paguan cash vlerën e legalizimit të objektit do të përfitojë 20 për qind ulje. Sipas drejtuesve të ALUIZNI-t, për kalimin e pronësisë ose të parcelës ndërtimore, në rastet kur e shlyen menjëherë do të ketë një bonus në masën 20% ulje. Kostoja financiare e shërbimit për legalizimin e ndërtimeve pa leje është 4000 lekë. Sipas ligjit, pronari i ndërtimit pa leje që në momentin që i legalizohet banesa ka 3 vjet afat për ta paguar atë. Projekti i ALUIZNI-t ka si qëllim që të krijojë lehtësira për të gjithë ata që do të paguajnë brenda një kohe shumë të shkurtër. Ndërsa për ata qytetarë që nuk kanë mundësi financiare për ta paguar menjëherë, do të përdoret sistemi me këste deri në 3 vjet. Gjatë kësaj periudhe prona regjistrohet në hipotekë dhe mbetet në pronësi të shtetit deri në momentin që përfundon pagesa. Qytetarët që të marrin titujt e pronësisë nuk do të kenë nevojë të prodhojnë dokumente pronësie, si harta, gen-plane, planimetri, sepse dokumentacioni i pronësisë i dhënë nga ALUIZNI është në përputhje me të gjitha kriteret e duhura ligjore. Gjithashtu dokumentacioni i pronësisë është i disponueshëm në dy versione, versionin manual dhe atë elektronik, është dokumentacion i certifikuar dhe i zyrtarizuar me të gjitha të dhënat e pronësisë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›