Shqiptari masakron gruan me sharrë në sy të fëmijëve
Një 28-vjeçare shqiptare ka përfunduar në koma në Greqi, pasi burri i saj i preu të dyja këmbët në prani të dy fëmijëve të tyre. Lajmi bëhet i ditur nga mediat greke, sipas të cilave ngjarja makabre është regjistruar pasditen e djeshme në familjen e emigrantëve shqiptare, të cilët ishin vendosur prej disa kohësh në shtetin helen. Prej disa kohësh, familja jetonte e ndarë, pasi burri ishte vendosur në zonën e Verias, ndërsa bashkëshortja në Kallamata. Dje burri 39-vjeçar i vetidentifikuar si I.Ramaj, nga Librazhdi kishte shkuar në Kallamata, për t'i kërkuar të shoqes që të ribashkohen në vendlindje dhe ka gjetur kundërshtimin e saj. Pak ditë më parë mësohet se ai ka qenë në Shqipëri, ku kishte marrë fëmijët, përkatësisht, tetë dhe dhjetë vjeç, të cilët jetonin me të afërmit e tij. Një javë më parë, 39-vjeçari bashkë më dy fëmijët, ka mbërritur në Kallamatë, në shtëpinë me qira në rrugën "Navarinu" të lokalitetit Mesinia, ku jetonte e vetme, e shoqja 28 vjeçe. Ndërkohë, sipas mediave helene, mesditën e së premtes ai kishte blerë një sharrë elektrike me zinxhir, të cilën e kishte vendosur te qilari i shtëpisë. Rreth orës 14:00 të pasditës së djeshme, në një moment irritimi, 39-vjeçari ka rrëmbyer nga oborri pranë shtëpisë sharrën elektrike, e ka vënë në prizë dhe i është vërsulur të shoqes, duke i prerë të dyja këmbët dhe të dyja duart deri në krah. Nuk është mjaftuar me kaq, e ka marrë të shoqen dhe e ka futur në qilarin e katit të poshtëm të godinës së banimit. Menjëherë pas kësaj, ka marrë dy fëmijët, i ka futur në makinë dhe ka ecur bulevardit pranë detit. Atje i është afruar një patrulle policore dhe i ka njoftuar se ka masakruar të shoqen. Vetë ai, i ka çuar policët tek qilari ku gjendej e shoqja, e cila menjëherë, është dërguar në spitalin shtetëror të Kallamatës. Por për shkak se arteriet e të plagosurës nuk po mbylleshin, me një helikopter ushtarak ajo u transportua në spitalin shtetëror KAT të Athinës, ku mjekët pohojnë se gjendja e saj është kritike. Në gjendje të rëndë ndodhen edhe fëmijët e tyre që po mbahen nën asistencën psikologjike, në të njëjtin spital.